Pronarët e Liverpoolit, Fenway Sports Group, po ecin përpara me planet për të blerë një klub të dytë në Spanjë. Getafe është klubi në fjalë dhe duket se bisedimet po ecin në drejtimin e duhur.
Sipas mediumit The Athletic, presidenti i Getafes, Angel Torres, nuk ishte plotësisht i sinqertë kur deklaroi në fillim të muajit se klubi nuk ishte në shitje dhe se largimi i tij ishte ende larg.
Megjithatë, prej kohësh është përfolur për një ndryshim të mundshëm pronësie te Los Azulones, me lidhjet më të fundit që e afrojnë klubin me Fenway Sports Group (FSG).

FSG thuhet se ka ndërtuar një marrëdhënie të mirë me presidentin e Getafes, Angel Torres, i cili fillimisht kërkonte 185 milionë euro, por tani është i hapur për një marrëveshje rreth 116 milionë euro.
Megjithatë, ai dëshiron të përfundojë rinovimet në ‘Coliseum’ deri në vitin 2028, përfshirë fushën stërvitore dhe zgjerimin e çatisë së stadiumit.
Liverpooli po synon të zgjerojë portofolin e futbollit dhe gjatë vitit të kaluar ka pasur bisedime me klube si Malaga e Bordeaux, por tani vëmendja është përqendruar te Getafe.
Nuk ka ende një afat për marrëveshjen, por sipas The Athletic, emërimi i Michael Edëards si Drejtor Ekzekutiv i Futbollit në vitin 2024 përfshinte dhe planin për të blerë një klub tjetër.
Getafe, ndonëse më pak tërheqës krahasuar me klubet e tjera të Madridit, ofron kushte të mira stërvitore dhe jetese, ka përvojë në La Liga dhe stabilitet, pavarësisht investimeve të kufizuara.