Në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë u zhvilluan sot homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u vra me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ndodhej në krye të detyrës.
Ceremonia nisi në orën 09:00 dhe zgjati deri në orën 11:00, pas së cilës trupi i pajetë i gjyqtarit u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes.
Kryeministri Edi Rama kreu homazhe, ndërsa la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve.
“Një tragjedi e madhe për familjen, të afërmit, kolegët dhe vetë shtetin, u prehtë në paqe dhe të rroni e ta kujtoni gjjthnjë” shkroi Rama në librin e ngushëllimeve për gjyqtarin e ndjerë, Astrit Kalaja.
Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari. Lamallari shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit, si dhe la një shënim në librin e kujtimeve.
“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.











