Organizatorët dhe publiku në Hoçovo të Polonisë mbetën të zhgënjyer nga legjenda braziliane e futbollit, Ronaldinho, pas ndeshjes bamirëse të quajtur “Ronaldinho Show”, ku u përballën legjendat e Polonisë dhe Brazilit.
Ngjarja ishte menduar të ishte një festë futbolli dhe muzike, por përfundoi duke lënë një shije të hidhur tek të pranishmit.
Sipas mediave polake, Ronaldinho mbërriti dy orë me vonesë në drekën zyrtare, para se të niste programi i planifikuar.
Ronaldinho qëndroi në fushë për 73 minuta dhe më pas, sipas raportimeve në mediat polake, u largua nga stadiumi pa bërë dush dhe pa përshëndetur publikun.
Disa orë më vonë, ai reagoi në rrjetet sociale, ku falënderoi publikun dhe organizatorët, duke e cilësuar një nder të madh të luante para 60,000 tifozëve.
Ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë 2:2, duke ofruar gjithsesi spektakël në fushë për tifozët e pranishëm.