Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim serioz për shkak të kërcënimeve direkte për jetën, thirrjeve për dhunë dhe ofendimeve me bazë etnike të drejtuara ndaj gazetarit dhe kolumnistit Erol Rizaov, përmes komenteve në kolumnën e tij të publikuar në portalin “Nezavisen.mk” dhe në faqen e tij zyrtare në Facebook.
SHGM i ka dërguar kërkesë urgjente Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke kërkuar që rasti të verifikohet në mënyrë të detajuar. Veçanërisht shqetësues është fakti se disa nga komentet përmbajnë thirrje eksplicite për eliminimin fizik dhe vdekjen e tij.
Në njërin prej komenteve thuhet: “A do të gjendet ndonjë trim që këtij plehu t’i japë fund si Qosetoja me kamë?”, ndërsa në një koment tjetër shtrohet pyetja: “A nuk ka kush ta zgjidhë Erolin në mënyrë ekspres?!”. Përveç këtyre, në komente janë drejtuar edhe ofendime me bazë etnike ndaj Rizaovit.
SHGM pret që MPB-ja urgjentisht të sigurojë dhe ruajë provat elektronike, të përcaktojë identitetet e personave që qëndrojnë pas profileve dhe të vlerësojë nëse në rastin konkret ekzistojnë elemente të veprave penale që lidhen me kërcënime, nxitje ose thirrje për dhunë dhe gjuhë të urrejtjes.
SHGM kërkon që, nëse konstatohen elemente të tilla, rasti pa vonesë t’i dorëzohet Prokurorisë Publike kompetente.
Kërcënimet ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre përbëjnë goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe nuk duhet të injorohen. Është me rëndësi të jashtëzakonshme që në situata të tilla institucionet të reagojnë në kohë dhe të parandalojnë që kërcënimet të shndërrohen në dhunë.

