Shqipëria ka fituar gjyqin me kompaninë Kurum, për prishjen e kontratës koncesionare të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit.
Gjykata e Arbitrazhit në Uashington ka dhënë vendimin më datë 26 korrik, në favor të qeverisë shqiptare, pas pretendimit të kompanisë turke për dëmin e shkaktuar nga mbyllja e parakohshme e koncesionit që duhet të zgjaste 30 vjet, por që mbeti aktiv vetëm 9 vite.
Kurum, fitoi në 2011-në kontratën për menaxhimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit, por, në 2017-në, Ministria e Infrastrukturës, e anuloi atë, madje duke hapur çështje gjyqësore për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania, shkruan euronews.al.
Për këto veprime, kompania turke ka bërë padi në arbitrazh më 23 shtator të 2020-së dhe për 4 vite Gjykata e Arbitrazhit, shqyrtoi konfliktin, për të cilin kompania turke kërkonte 100 milionë euro kompensim.
Një faturë të përafërt, Shqipëria po e paguan për investitorin Francesko Becheti, i cili paditi vendin tonë për mosmarrëveshje në ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, ndërsa në terminalin e kontejnerëve në Durrës sot operon një “Hili Company Limited”, një kompani e regjistruar në Maltë.
