Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënim me 1,6 vite burg për ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduart Kapri. Por, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbritet në 1 vit.
Më 14 tetor ish-kryebashkiaku demokrat Eduart Kapri u mor si i pandehur nga SPAK, pasi u akuzua, se me ndihmën e dy zyrtarëve të tij, lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12-katësh të shoqërisë “Gedi” sh.p.k, ku ai vetë ka qenë administrator. Pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie firmën e kaloi në emër të të vëllait. Sipas hetimit të kryer, ka rezultuar që pallati që ishte 12-katësh, në lagjen nr. 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.
Të pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” bashkë me ish-kryetarin e bashkisë Kapri u morën edhe juristi i bashkisë, Besjan Meço dhe Besmira Niko në cilësinë e specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Pogradec.