Shkup, 3 qershor – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me të dyshuarin në hetimin për furnizim të mazutit për TEC Negotinë, Asmir Jahoski dhe si i është dhënë pasaporta për një ditë, tha se pyetja është se si është marrë vendimi i Gjykatës që të kthehet dokumenti i udhëtimit i personit të dyshuar, e jo pse MPB-ja ka vepruar konform vendimit të Gjykatës.
“MPB vepron në përputhje me një vendim të marrë nga Gjykata. Ashtu si me persona të tjerë që gjithashtu ishin me interes për publikun në të kaluarën, kur vepruam në përputhje me kompetencat ligjore dhe lëshuam dokumente në procedurë urgjente brenda një dite, në këtë rast po veprojmë dhe lëshojmë, me vendim gjyqësor, dokumentacion përkatës në kompetencë të Ministrisë, sa më shpejt të jetë e mundur kur bëhet fjalë për procedurë urgjente”, tha Toshkovski në një deklaratë për mediat pas Konferencës ndërkombëtare me rastin e 50 vjetorit nga themelimi i Institutit për siguri, mbrojtje dhe paqe në Fakultetin Filozofik – Shkup.
Theksoi se “thelbi i pyetjes duhet në ketë rast të jetë se si është marrë vendimi nga gjykata që të kthehet dokumenti i udhëtimit, e jo pse MPB-ja ka vepruar konform vendimit të Gjykatës”.
“MPB nuk mund të veprojë ndryshe. As tani, as më parë, madje as në të ardhmen nuk do të veprojmë në kundërshtim me urdhrin e dhënë nga ana e një të pandehuri dhe një vendimi të marrë nga ana e gjykatës kompetente”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme.
Asmir Jahoski, pronar i kompanisë “Pucko petrol” për të cilin Gjykata ka caktuar masë kujdesi në kuadër të hetimit për keqpërdorim me mazutin për TEC Negotinë ka udhëtuar jashtë vendit me një dokument me afat të kufizuar të vlefshmërisë, informojnë për MIA-n nga MPB-ja.
Jahoski ka realizuar daljen në vendkalimin kufitarë Bogorodicë të premten, më 30 maj dhe është kthyer në vend përmes pikës së njëjtë kufitare sot më 2 qershor.
“Personi për të cilin pyesni është larguar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bogorodicë më 30.05.2025 dhe është kthyer në vend më 02.06.2025 përmes pikës kufitare Bogorodicë. Konkretisht, personi është larguar nga vendi me një dokument udhëtimi me afat të kufizuar të vlefshmërisë të lëshuar nga MPB-ja pas një Vendimi të lëshuar më parë me nr. 540/25 të datës 29.05.2025 të Gjykatës së Apelit që i jep pëlqimin personit A.J. për t’i lëshuar atij dokument udhëtimi për një periudhë të kufizuar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Jahovski dje paradite është paraqitur në Gjykatën Penale Shkup, me çka e ka plotësuar obligimin për paraqitje të rregullt në gjykatë në kuadër të hetimit për keqpërdorim me mazut për TEC Negotinë, konfirmuan nga Gjykata penale për MIA-n.
Jahovski, siç kumtoi sot VMRO-DPMNE-ja, ka qenë në udhëtim jashtë shtetit. Në kumtesë thuhet se Jahovski, “i cili e dëmtoi Buxhetin e shtetit për 167 milionë euro dhe për të cilin po ndiqet procedurë, në këtë moment po shijon ditët në Bosfor”, pasi u dënua me paraburgim shtëpiak për veprën e kryer penale “larje parash” dhe “përfitime tjera për furnizimin e mazutit me prejardhje dhe cilësi të dyshimtë”.
Siç sqaruan nga Gjykata penale e Shkupit gjatë muajit maj, nga ana e mbrojtjes së të dyshuarit, u parashtrua kërkesë për kthimin e dokumentit për udhëtim, respektivisht për nxjerrjen e dokumentit të ri, kërkesë e cila u refuzua nga Gjykata penale, pas çka pas ankesës së pranuar, lënda u dorëzua në procedurë kompetente në Gjykatën e Apelit Shkup.
Në Gjykatën e Apelit në Shkup thonë se ata nuk japin dokumente për udhëtim, pasi ky është obligim i institucioneve tjera kompetente. Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Shkup, Lubisha Stankoviq thotë se vendimet në rastin janë miratuar në kuadër të procerdurës sipas ankesës së të dyshuarit.
Më 6 maj të këtij viti, Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e Asmir Jahovskit, i dyshuar lidhur me hetimin për furnizimin e mazutit për TEC Negotinë, dhe e ndryshoi vendimin e Gjykatës penale ashtu që masa “paraburgim” hiqet me pranimin e garancës me vendosjen e hipotekës pronësore. Në të njëjtën kohë, Jahovskit i përcaktohet masa e kujdesit, respektivisht obligim i të dyshuarit që të paraqitet përkohësisht tek personi zyrtar i Gjykatës penale themelore Shkup, si dhe marrjen e përkohshme të dokumentit ekzistues për udhëtim dhe ndalesë të dhënies së dokumentit të ri për udhëtim.
Jahovski është i dyshuar në kuadër të hetimit, me të cilin janë përfshirë edhe pronarët e RKM-së, Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sullkovski, si dhe ish drejtorin e arratisur e EMV-së Vasko Kovaçevski për shkak të keqpërdorimeve me furnizimet e mazutit për TEC Negotinë me vlerë mbi 160 milionë euro në kohë të krizës energjetike.