Shkup, 23 maj – Brenda një muaji, nga 29 maj deri më 30 qershor, kryerësit e aktivitetit energjetik duhet të paraqesin kërkesë për ndryshim të licencës deri te Komisioni rregullator i energjetikës (KRRE). Konform ligjit të ri të energjetikës, këtë detyrë e kanë edhe bartësit e licencave të punës testuese.
Siç njoftoi sot kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, ndryshimi i licencës është falas, ndërsa bartësve nuk u paguhet asnjë kompensim.
Për momentin janë lëshuar 8.800 licenca, ndërsa për punë testuese rreth 150. Me ndryshimin, në licenca do të përfshihen edhe ndryshimet në Ligjin e ri të energjetikës.
“Nëse bartësit nuk i paraqesin kërkesat, licencat e tyre do të ndërpriten. Ne edhe nga sistemi jonë i monitorimit në të gjitha email adresat që na kanë dorëzuar do të njoftojmë bartësit e licencave dhe pres që të gjithë t’i përmbushin këto detyrime”, ka thënë Bislimovski.
Ai informoi gjithashtu se bartësit e licencave për punën testuese do të mund të vazhdojnë licencat e tyre vetëm për qëllimin e testimit të performancës teknike të objektit energjetik dhe ndikimit në sistemin energjetik me të cilin është i lidhur objekti. Dispozitat e Ligjit të ri nuk parashikojnë licencë të përkohshme.
“KRRE kryen kontrolle të rregullta të të gjitha kompanive të licencuara që kanë marrë licencë nga ana jonë. Në të kaluarën KRRE ndryshonte licencat pas miratimit të ndonjë ligji të ri për energjetikë në rrugë zyrtare, ndërsa tani duke pasur parasysh se ka një numër më të madh licencash, ata vetë paraqesin kërkesat. Nuk ka mbyllje të asnjë tregu, ka edhe licenca të lëshuara për kompani që kryejnë aktivitete adekuate energjetike, ndërsa nuk ishin aktive në disa nga tregjet e energjisë elektrike, gazit natyror, derivateve të naftës,… Thjesht do të bëhet pastrim i licencave të lëshuara në KRRE, ata që janë bartës serioz do të paraqesin aplikimet e tyre, duke marrë parasysh se mjaft licenca janë lëshuar në periudhën e fundit, do të pastrohen ata që kryejnë aktivitetin e duhur dhe janë aktivë në të gjitha tregjet, jam i sigurt se do të paraqesin kërkesë. Ka disa që nuk janë aktivë dhe gjatë afatit të licencës nuk informojnë se ajo duhet të ndërpritet”, ka thënë Bislimovski.