Shkup, 20 shtator – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, personalisht e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sa i përket balancuesit, dhe ripërsëriti se ai është keqpërdorur prej vitesh. Sa i përket hartimit të zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë tha se do të pritet deri në vendim përfundimtar të gjykatës. Minçevi theksoi se Ligji akoma nuk është në përgatitje, por në koalicion qeveritar do të ketë debat të gjerë rreth hapave të ardhshëm për këtë çështje. Ai paralajmëroi reforma gjithëpërfshirëse, që do të bazohen në cilësi dhe profesionalizëm.
“Sa i përket zgjidhjeve ligjore, unë në këto momente nuk mund të them nëse do të ketë ligj të ri apo cila do të ishte përmbajtja e asaj zgjidhje ligjore. Gjithsesi presim vendimin final të Gjykatës Kushtetuese. Varësisht se cili do të jetë vendimi, do t’i qasemi një zgjidhjeje të re ligjore eventuale, e cila duhet të them se është një kategori kushtetuese.”, – deklaroi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
BDI: S’ka më punësime për shqiptarët
Ndërkohë, vazhdojnë akuzat dhe kundërakuzat e partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, sa i përket mekanizmit të balancuesit, dhe përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike. BDI-ja fajëson se VLEN-i po i mbyllë sytë dhe po e lejon rrënimin e të arriturave më të rëndësishme të shqiptarëve për dy dekada me radhë, që nga lufta e 2001-shit.
“Paralajmërimet publike për deshqiptarizimin e shtetit po realizohen në praktikë nga kjo qeveri monoetnike, në të cilën ndodhen edhe humbësit e zgjedhjeve apo shkelësit e legjitimitetit shqiptar. Ky vendim cenon përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, respektivisht s’ka më punësime për shqiptarët. Vlerësojmë se ky vendim shkel drejtpërdrejt dispozitat kyçe të Kushtetutës sonë dhe rrezikon themelet e shoqërisë sonë shumetnike të ndërtuar me shumë vështirësi.”, thuhet ne reagimin e BDI-së.
Taravari: BDI-ja s’ka zgjidhur problemin 22 vjet
Ndërkohë, nga VLEN-i kundërpërgjigjen se situata e krijuar me “Balancuesin” është trashëgimi i BDI-së, e cila këtë çështje nuk e ka zgjidhur për 22 vite në pushtet. Taravari njoftoi që se së shpejti do të përgatisin Ligjin për përfaqësim të drejtë, ndërsa pranoi se vendimi i Kushtetueses ishte i nxituar.
“Unë z. Selën dhe z. Ahmetin nuk i kuptoj se tash u kujtohet se duhej në Gjykatë Kushtetuese të ketë badenter. Z. Sela si mik i afërt i Ali Ahmetit 22 vjet kanë pushtet absolut, lokal dhe qendror. Pse nuk e sollën një ligj si duhet për gjuhën shqipe, pse nuk e sollën që me badenter të votohet edhe në Gjykatën Kushtetuese? A tash u kujtuan? A duhet t’u japim edhe 22 vite që ta bëjmë një gjë të tillë. Pse nuk e bënë deri tash? Të shesësh mjegulla dhe filozofi është shumë lehtë, kanë pasur pushtet dhe asgjë s’kanë bërë. Ne tani praktikisht ballafaqohemi me pasojat që kanë lënë.”, – theksoi Arben Taravari nga VLEN.
Reagimet erdhën si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të nisë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së balancuesit mbi iniciativën e ish-përbërjes së Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

