Në bazën ajrore të Farkës u zhvillua sot ceremonia e nderimit të pilotëve të Forcës Ajrore major Dhori Martiri, nënkolonel Faslli Spahiu, nënkolonel Pajtim Golemi dhe teknikut Bardhok Marku, të cilët dalin në lirim, pas kontributit të tyre të pazëvendësueshëm në Forcat e Armatosura.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrte pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili i nderoi me medaljen e mirënjohjes si dhe i vlerësoi përkushtimin dhe sakrificat e tyre për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe sigurisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Vengu tha se “të katër profesionistët që nderojmë sot janë një shembull i dyfishtë i sakrificave të një kohe që nuk është më dhe një shembull i sakrificave që jemi duke ndërtuar së bashku. Ju të katërt, në të gjithë gamën që përfaqësoni qoftë si teknikë, pilotë, mirëmbajtës, por edhe në rrafshin e shërbimit meteorologjik dhe shkencor, përfaqësoni tërësinë e profesioneve, aftësive dhe virtyteve që gjejmë pranë Forcave të Armatosura dhe veçanërisht pranë Forcës Ajrore që nderojmë sot”.
“Ju mbyllni një kapitull të rëndësishëm të jetës tuaj, ku për dekada keni treguar përkushtim dhe profesionalizëm në mbrojtje të hapësirës ajrore dhe sigurisë së vendit. Të shërbesh si teknik dhe pilot aviacioni nuk është vetëm një detyrë, është një mision që kërkon sakrificë, disiplinë dhe një guxim shumë të madh, dhe siç na e treguat sot guximi nuk ju ka munguar dhe dua t’ju përulem me shumë nderim ndaj sakrificave që keni bërë”, tha Vengu.
Ministri Vengu u shpreh se “secili prej tyre ka shkruar një faqe të rëndësishme në historinë e Forcës Ajrore Shqiptare. Dedikimi për atdheun, dedikimi për sigurinë kombëtare është një virtyt, i cili edhe mund të mësohet, edhe mund trashëgohet dhe kjo na jep një përgjegjësi mjaft të madhe kur vjen puna te dedikimi ndaj kapitalit njerëzor pranë FA dhe posaçërisht pranë Forcës Ajrore”.
Duke theksuar angazhimin e qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimit të personelit të Forcës Ajrore, Vengu tha se “qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes kanë punuar për të përmirësuar kushtet e punës dhe trajtimin e pilotëve, teknikëve dhe personelit tjetër mbështetës. Kemi ende shumë punë për të bërë. Është bërë një hap në këndvështrimin e trajtimit financiar, por kjo nuk do të ndalet me kaq. Është dedikim i kësaj qeverie që të vijojë rritjen e trajtimit financiar dhe rritjen e mbështetjes qoftë shëndetësore, por edhe sociale për Forcat e Armatosura dhe veçanërisht për Forcën Ajrore, për personelin fluturues dhe mirëmbajtës”.
Ministri gjithashtu theksoi prioritetet e tjera të qeverisë për zhvillimin e forcimin e Forcës Ajrore, duke përfshirë, rritjen e kapaciteteve njerëzore operacionale dhe përmirësimin e infrastrukturës, blerjen e avionëve me përdorim të dyfishtë për mbështetje dhe për emergjenca civile, investime në sistemet e komunikimit dhe informacionit në Bazën Ajrore Taktike të NATOS në Kuçovë apo kompletimin dhe mirëmbajtjen e helikopterëve Blackhawk, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.