Sekretari i Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy të martën dhe mërkurën ka qëndruar për vizitë në vendin tonë, gjersa është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti.
Lammy ka takuar po ashtu liderët e PDK, LDK-së e AAK-së, ndërsa ka vizituar edhe KFOR-in.
Pas takimit me të parën e shtetit, Vjosa Osmani, sekretari britanik në konferencën për media ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, Procesin e Berlinit, sigurinë në rajon dhe raportet e shkëlqyera ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
Ai tha se shteti i tij këtë vit do ta udhëheq Procesin e Berlinit dhe sipas tij ky Proces është tejet i rëndësishëm për të rritur lidhjet brenda rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës dhe siç u shpreh ai do të bëjnë çdo gjë për të mbështetur progresin, raporton Telegrafi.

“Shpresoj që këtu në Kosovë do të vazhdojë së shpejti formimi i qeverisë së re pasi është esenciale në këto momente sfiduese…Është rajon që ka pasur rëndësi për britanikët dhe ka rëndësi edhe sot.. Sot kthehem me zonjën Pearce si e Dërguar speciale për rajonin e Ballkanit dhe me përvojën e saj të madhe për rajonin.
Vij i gëzuar që Mbretëria e Bashkuar po udhëheq Procesin e Berlinit këtë vit në një kohë të vështirë”, tha ai.
Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar dëshiron t’i shikojë disa gjëra, ndër të cilat është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, raporton Telegrafi.
“Nuk jam kthyer vetëm si mik, por plotësisht i bindur se Mbretëria e Bashkuara vazhdon të luaj një rol esencial si mik dhe partner kyç i këtij kombi të madh…. Janë disa gjëra që duam t’i shohim… Duam normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor për ju këtu në Kosovë mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Tutje, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar tha se shteti i tij është kontribuues i madh në KFOR.
“Është qenësore për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do të adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun udhëhequr nga Bashkimi Evropian…”, tha ndër të tjera Lammy.

Sekretari i Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy po ashtu ka folur për lidhjet e veçanta mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, ndërsa tha se ndihet shumë mirë që po viziton Kosovën sërish, pas dy viteve.

“Ndjenjë shumë e mirë të kthehem në Kosovë, pas vitesh. Lidhjet e fuqishme mes popujve të dy vendeve tona me një popullsi të shkëlqyeshme të Kosovës në Mbretëri të Bashkuar dhe lidhjes së thellë të partisë sime dhe çlirimit të këtij vendi është diçka shumë e vlefshme për mua dhe kolegët e mi në administratën e re…”, tha ai.

Më poshtë mund të shikoni fotografitë nga vizita e tij në Kosovë, të publikuara nga Zyra për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dhe fotografitë nga takimet me liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të publikuara nga këto parti.











