Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 90 058, ndërsa deri sot në orën 11:36 janë miratuar 55 656 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 55 273 (61.4%) kërkesa, ndërsa femrat janë 34 785 (38.6%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 25 379kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 24 626 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 17 069 dhe mbi 56 vjeç janë 13 852 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 9 132 të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 32 280 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 32 159, e ndjekur nga Greqia me 24 121, Gjermania me 11 496, si dhe nga SHBA me 7037.
Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 16 655, më pas bashkia e Fierit me 13 544, Korça me 10 095, Durrësi me 8465 etj.


