Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se, Dita Ndërkombëtare e Teatrit e gjen Shqipërinë sërish pa Teatrin Kombëtar.
“Pesë vjet pasi u shemb pabesisht në mes të pandemisë, në shkelje të Kushtetutës, duke lënë pas rrënojat e dhunës dhe masakrës së kësaj qeverie kundër trashëgimisë kulturore dhe historike, Teatri është prova më e qartë e korrupsionit”, theksoi Xhixho.
Deputetja e PL shtoi se, “qëndresa e jashtëzakonshme e artistëve dhe qytetarëve të Tiranës e ktheu Teatrin e vjetër në simbol të rezistencës ndaj keqqeverisjes dhe pazareve të pushtetit qendror e lokal me oligarkët”.
Xhixho shtoi se, “si kryeministër, Ilir Meta ishte njeriu që e ktheu Teatrin Kombëtar në zonë të mbrojtur. Kur ishte President u qëndroi në krah artistëve dhe qytetarëve të Tiranës që nuk u dorëzuan për më shumë se dy vjet, duke u kthyer në gardianë të trashëgimisë kulturore, memories dhe historisë së qytetit. Si President i Republikës, Ilir Meta e kundërshtoi hapur shembjen në mënyrë antiligjore për të rrëmbyer pronën publike dhe e çoi në Gjykatë Kushtetuese këtë krim”.
Sipas saj, “vota për numrin 1, për Koalicionin për Shqipërinë Madhështore dhe Ilir Metën është garanci për ta ndërtuar Teatrin si ishte dhe ku ishte”.
