Shkup, 14 shkurt – Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, siduket po ndihet komod në karrigen e presidentit dhe po ia toleron vetes talljen me qytetarët. Nga presidenti i kujdesshëm që shkon për vizita në shtëpi të qytetarëve në president që nuk ia dëshiron të mirën qytetarëve. Në emër të parimit bëhet jo parimor për të mos thënë “hipokrit”. Presidenti njëjtë, dy ligje të ndryshme të votuara me të njëjtën formë, flamur evropian, njërin e miraton tjetrin jo. Bëhet fjalë për ligjin e sjellë në Kuvend me flamur evropian për sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, përmes të cilave ndryshime shumë politikanë amnistohesh nga lëndë të ndryshme. Si dhe për ligjin për Lojërat e fatit përmes të cilit u votua që të largohen në distancë prej 500 metrave nga shkollat. Por, edhe pse ky ligj kaloi në Kuvend presidenti e kthen mbrapsht nën arsyetimin keqpërdorim të flamurit evropian. Dhe, tani kjo nuk do mend që është në dëm të qytetarëve, dhe është hipokrizi të dekretohet ligji për Kodin Penal por jo edhe për kazinot, shkruan Zhurnal.
Pendarovski nuk e nënshkruan Ligjin për kazinot që të largohen 500 metra nga shkollat –
Presidenti, Stevo Pendarovski, nuk e ka nënshkruar Ligjin për ndryshime dhe plotësime të lojërave të fatit, të cilën Kuvendi e votoi më 7 shkurt. Përmes të cilave ndryshime parashihej largimi i kazinove nga shkollat në distancë prej 500 metrash. Edhe pse as qytetarët e as Lëvizja Anti-bixhoz nuk ishin të kënaqur me këtë vendim, sepse e mira e përgjithshme mbyllja totale. Por, sidoqoftë u prit mirë në opinion si një hap drejt ndryshimeve deri në mbyllje.
Por, siduket e gjithë kjo paska qenë hi syve për qytetarët, sepse e vërteta po qëndron ndryshe. Me këto ndryshime po luhet pingpong. Presidenti parimor nuk po e dekreton sepse po vlerëson se është keqpërdorim i flamurit evropian.
“Vendimi është sjellur pas një analize të detajuar të tekstit të Ligjit dhe të procedurës përmes të cilës ky ligj është sjellur si dhe pas konsultimeve të realizuara me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si njëri nga partnerët tanë më të rëndësishëm në procesin e bisedimeve”, qëndron në komunikatën e presidencës. Presidenti i bënë thirrje Kuvendit që prolongim, të filloj debati dhe procedura nga fillimi për këtë çështje, por në procedurë të rregullt ligjore me debat të zgjeruar dhe inkluziv me të gjitha palët e tanguara, ashtu siç i takon, siç thonë më tej, një shteti parlamentar demokratik.
Për vendimin e tij, presidenti e ka informuar edhe kryetarin e Kuvendit, Jovan Mitrevski. Por, presidenti Pendarovski nëse nuk e ka në kujtesën e tij ne ia sjellim përmes pyetjes më poshtë. Që po në të njëjtën formë është votuar në Kuvend edhe për ndryshimet në Kodin Penal, dhe ky i fundit i ka dekretuar pa kurrfarë problemi dhe brenge për partnerët evropianë. E çështja e keqpërdorimit të flamurit evropian as që ka ekzistuar.
Përse ligji për ndryshimet në Kodin Penal nuk ishte keqpërdorim i flamurit evropian?
Presidenti Stevo Pendarovski, më 7 shtator 2023 vendosi ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal. Ndryshime të cilat ishin votuar në Kuvend me flamur evropianë, ngjashëm sikurse ndryshimet për lojërat e fatit. Por, atëherë nuk ishte keqpërdorim por tani çuditërisht po.
Çfarë përmbanin ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, të cilat i miratoi Pendarovski?
Ligji në fjalë është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç patën thënë nga Qeveria gjatë seancës, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.
Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërsimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit. E për këto ndryshime presidenti Pendarovski ka nënshkruar pa hamendje dhe pa u menduar dy herë.
Çfarë përmban ndryshimi në ligjin për Lojërat e fatit që nuk po e nënshkruan Pendarovski?
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim ligjin për Lojrat e Fatit, përmes të cilave parashihet largimi i objekteve të lojrave të fatit në distancë prej 500 metrave nga objektet shkollore. Pra, asgjë të dëmshme për qytetarët e vendit, por këtë heziton Pendarovski ta nënshkruaj dhe nën arsyetime banale që janë fyese për inteligjencën dhe kujtesën e qytetarëve.
Nga kjo kuptohet që po luhet pingpong me ligje të cilat janë në interes të qytetarëve. Politikanët po harrojnë se ky vit është i zgjedhjeve të dyfishta dhe qytetarët do ta kenë momentin e tyre për të shpërblyer por edhe për të ndëshkuar ata politikanë që nuk kanë interesin e qytetarëve primar dhe esencial. /Zhurnal.mk