Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare që lidhet me Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se zhvillimet në rajon vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Në njoftimin e publikuar, thuhet se veprimet e individëve dhe grupeve që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe përpjekjet ndërkombëtare për normalizim në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste, korrupsionin dhe pengimin e zbatimit të marrëveshjeve të pasluftës, vazhdojnë të jenë shqetësuese për Uashingtonin.
Gjendja e jashtëzakonshme ishte shpallur fillimisht më 26 qershor 2001 përmes Urdhrit Ekzekutiv 13219, me qëllim adresimin e kërcënimeve që lidhen me dhunën ekstremiste në rajon, si dhe me veprimet që pengonin zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Ky urdhër është zgjeruar dhe përditësuar ndër vite përmes disa vendimeve presidenciale. Në vitin 2003 u përfshinë masa shtesë që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vitin 2021 u zgjerua fushëveprimi për të adresuar korrupsionin, minimin e institucioneve demokratike dhe pengesat ndaj integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit.
Në janar të vitit 2025, Trump nënshkroi një tjetër urdhër ekzekutiv që synonte individët dhe grupet që sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, minojnë marrëveshjet e pasluftës, përfshihen në korrupsion të rëndë ose tentojnë të shmangin sanksionet amerikane.
Sipas njoftimit të fundit, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të pengojë forcimin e qeverisjes demokratike, sundimin e ligjit dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, duke e bërë të nevojshme vazhdimin e masave të emergjencës edhe pas 26 qershorit 2026.
Ky njoftim do të publikohet në Regjistrin Federal dhe do t’i transmetohet Kongresit.

