Nga Çlirim Iseini – profesor i grupit klasor pranë shkollës fillore “ Naim Frashëri “, Jagoll – Kërçovë
Të shkruash për njeriun, sigurisht do të mundohesh që të gjeshë fjalët më të bukura, e sidomos për ndikimin që ka në shoqëri nuk do të mjaftonte as një libër. Të paktë janë ata persona që shpërndajnë vlera pozitive, e në mesin e atyre bëjnë pjesë mësuesit. Njejtë siç qiriu që digjet për të ndriçuar të tjerët ashtu edhe sakrifica e tyre është shumë e madhe, e pa përshkrueshme sepse filluan që të shpërndajnë erën më të ngrohtë të atij Marsi të acartë që do të ledhatojë gjithmonë shpirtin e çdo shqiptari. 7 Marsi i vitit 1887 sa i buzëqeshur aq edhe i hidhur ndryshoi epokën, sespe atëherë u hap mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë.
Treni i përhapjes së gjuhës shqipe nuk u ndal vetëm në një vend, ai vizitoi mbarë Shqipërinë duke shijuar ,,Bagëtinë dhe bujqësinë” e poetit të madh Naim Frashëri, por mbi të gjitha duke lënë thesare në çdo cep të asaj Shqipërie të bukur. E kur pranvera filloi që të vijë, gjithkund u shtrua gjelbërimi, ndërsa mësuesit tashmë i kishin përveshur mëngët dhe i’a kishin filluar punës. Ato ishin shpërndarë gjithkund, madje kishte edhe prej atyre që u larguan nga atdheu vetëm për të rrezatuar dituri, sepse ,,Vetëm dritë e diturisë, përpara do të na shpjerë”.
Me shumë dëborë, diell, shi, stinët dhe vitet kaluan shpejt sa hap e mbyll sytë, dhe në botë rriten shumë persona që bëhen mjekë, gjyqtarë, e profesione tjera nga më të ndryshmet. Ku humbi mësuesi? Ai i ka nxjerrë jashtë këta persona, jashtë këthetrave të paragjykimeve, duke u dhënë medaljet më të mira, ndërsa për veten e tij thuajse nuk merr asnjë të tillë. Gatuan brumin që i fut produktet më të mira, i dhuron formën më të bukur, dhe mbase pak e njohin vlerën e tij të madhe.
Meqenëse uji që del nga burimi rrjedh, bashkë me të dhe zhurmën e tij rrjedh edhe jeta jonë shumë e çuditshme, me sfida brenda saj. E kush më mirë se sa mësuesit do të na i tregojnë se si t’i përballojmë? Mbase askush tjeter, janë prindërit tanë të dytë. Dijuani vlerën sepse ato i shtojnë akoma lulet më të bukura. Me mund dhe me shpirt i edukojnë dhe arsimojnë brezat e ri, për këtë arsye ,, Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë ”.