Shkup, 9 qershor – Parkingu në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Shkup shkakton kokëdhembje për qytetarët. Qytetarët më shumë e kanë hallin e parkingut se hallin e sëmundjes. Një qytetarë që të gjejë një vend parkingu nevojitet dyzet minuta deri në një orë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kontrata me të cilën Qeveria ia dha këtë parking Ndërmarrjes publike “Parkingu i Qytetit” për menaxhim në kohën kur kryetar komune ishte Koce Trajanovski, tashmë ka skaduar, dhe Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qendrës Klinike ka kërkuar që ajo të marrë përsipër menaxhimin.
Procedurat për parkingun janë komplikuar pasi që këtë parking e ka marrë përsipër qeveria, pastaj Ministria e Shëndetësisë, ndërsa së fundmi u anulua edhe kontrata me kompaninë e interesuar nga Shqipëria.
Opozita por edhe vetë VMRO DPMNE-ja e konsideruan këtë interesim të kompanisë shqiptare si jo adekuate, sepse kalkulonin se kjo kompani në 20 vitet e ardhshme nëse e menaxhon këtë parking do të fitojë para të majme. Lajmi shkaktoi një sërë reagimesh dhe ka ngritur pyetje të shumta në publik se pse parkingu po i jepet për menaxhim një kompanie të huaj. Reagimet ishin nga m ëtë ndryshmet se si Maqedonia e Veriut nuk ka 10 milionë euro për të investuar në parkingun në Qendrën Klinike, gjë që i jep Ministrisë Shëndetësisë mundësinë të “privatizojë parkingun publik” duke lobuar për një kompani të huaj, shkruan “Zhurnal.mk”.
Më parë ishte njoftuar se kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria mund të menaxhojë parkingun e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” përmes një partneriteti publik-privat. Vetëm “Gjoka Construction” iu përgjigj tenderit të hapur, i cili u hap më 15 nëntor të vitit të kaluar. Kompania është themeluar në Tiranë në vitin 1994, dhe që nga viti 2022 ka regjistruar një degë në Shkup. Në këtë tender parashihej që partneri privat të ndërtojë garazhe parafabrikate me dy kate, të menaxhojë të gjithë parkingun e Klinikës, dhe në këmbim shteti të marrë një përqind të të ardhurave totale vjetore.
Afati i fundit për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe, nëse kontrata nënshkruhej ishte nga gjashtë muaj deri në një vit.
Nga ana tjetër, NP Parkingu i Komunës Qendër, në bashkëpunim me Policinë e Trafikut-Shkup, në periudhën nga 02.06. deri më 08.06.2025, me ndihmën e automjeteve speciale “Merimanga”, largoi 101 automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme që pengonin rrjedhën normale dhe të sigurt të trafikut. shkruan “Zhurnal.mk”.
PE POC dhe Komuna Qendër u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe rregulloret dhe t’i lënë automjetet e tyre vetëm në vendet e përcaktuara për t’u mundësuar këmbësorëve dhe çiklistëve të lëvizin normalisht në trotuare dhe shtigje biçikletash, dhe automjeteve të lëvizin në mënyrë të sigurt në rrugë.
Mjetet e parkuara në mes të rrugës ose në zonat e gjelbra vetëm sa e konfirmojnë problemin e parkimit.
Ndryshe, pas largimit të Arben Taravarit, ministër i ri i shëndetësisë do të jetë Azir Aliu, dhe kjo problematikë duket se do të jetë ndër kryesoret që duhet të zgjidhjet. Përveç kolapsit në shëndetësi dhe problemeve të shumta me ilaçe e reparte shëndetësore që nuk funskionojnë siç duhet, ministri i ri duhet të merret edhe me çështjen e parkingut.
Një parking me kate, është më shumë se i nevojshëm dhe qeveria dhe partitë politike duhet t’i lënë anash inatet personale dhe politike dhe të zgjidhin këtë problematikë që i tangon çdo ditë qytetarët.
Është turp në një Klinikë spitalore të mos arrish në kohë për shërim ose në terminin e duhur për kontroll per shkak të mungesës së parkingut.
Duhet të bëhet gjithashtu një ndarje mes parkingut të mjekëve dhe stafit të spitalit, dhe të pacientëve. Mungesa e një ndarje të linjave dhe vendeve të parkingut shkakton rrëmujë në qarkullim të trafikut.
Ndikim kryesor në vonesën e procedurave për zgjidhje të parkingut është ndërrimi i shpeshtë i ministrave, e për fat të keq më së shumti po dëmtohen qytetarët, shkruan “Zhurnal.mk”.