Gjykata Themelore në Prishtinë, ditën e hënë ka shpallur fajtor Shukri Bujën në rigjykimin e rastit “Veteranët”, duke e dënuar me një vit burgim.
Pas vendimit të Themelores, ka reaguar Buja, duke e quajtur vendimin si politik, dhe tentim për ta ndalur rrugëtimin e tij politik, transmeton Telegrafi.
“Të nderuar qytetarë, të nderuar anëtarë e simpatizantë të PDK-së, tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani”, ka pohuar ai.
Më tej, ai ka shkruar “Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë”.
Buja ka njoftuar se ai do të vazhdojë rrugëtimin e tij, kandidimin për kryetar të Lipjanit.
“Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore. Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund”, theksoi ai.
Ai ka pohuar “U përballa me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit tonë për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha dola i pastër dhe fitimtar”.
“Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht, dhe si e tillë do të përfundojë atje ku u takon vendimeve të padrejta: në shportën e mbeturinave historike”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale që nga viti 2018, të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, duke njohur në mënyrë të paligjshme statusin e veteranit të luftës për persona që nuk i plotësonin kriteret ligjore.
Prokuroria ka theksuar se veprimet e tyre janë bërë me qëllim përfitimi pasuror për persona të tretë, përmes shkeljes së detyrave zyrtare dhe keqpërdorimit të pozitës.