Shkup, 14 gusht – A ka VLEN potencial të ushtrojë më shumë presion se BDI për ta çuar përpara Marrëveshjen e Ohrit? Historia e deritanishme tregon se pa vullnet politik të palës shqiptare për ta kushtëzuar qeverisjen, çdo marrëveshje mbetet në letër. Paqe negative është gjendja kur shkaqet që kanë sjellë deri në konflikt nuk janë eliminuar me marrëveshje pas konfliktit. Por, nga një vit qeverisje e VLEN-it ka qindra fakte dhe argumente që pohojnë të kundërtën fatkeqësisht, VLEN ka një betejë tjetër përpara saj luftën për të ngelur akoma në pushtet, shkruan Zhurnal.
24 vite pritje BDI e VLEN ndryshojnë fjalët por jo fatin e Marrëveshjes së Ohrit –
Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001, ishte menduar të ishte “drita në fund të tunelit” për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pas një konflikti të armatosur që i kishte rrënjët në dekada të tëra diskriminimi dhe mosnjohjeje të të drejtave kolektive. Në atë kohë, ajo u paraqit si një triumf politik, një kthesë drejt barazisë institucionale dhe një mbyllje e plagëve të luftës. Sot, 24 vite më pas, realiteti është shumë më pak entuziast premtimet e saj nuk janë përmbushur në tërësi, dhe shumë nga fitoret e arritura janë zbehur ose rrëgjuar.
Tre fazat e moszbatimit të Marrëvesshjes së Ohrit sipas Naser Ziberit –
Naser Ziberi, një nga përpiluesit e marrëveshjes, ofron një analizë të qartë se moszbatimi i Marrëveshjes ka kaluar në tre faza.
“Faza e parë,” thotë ai, “është mosrealizimi i saj brenda katër viteve, ashtu siç parashihte vetë marrëveshja.”
“E dyta,” vijon Ziberi, “është cilësia e marrëveshjes, e cila u dëmtua që në procesin e ndryshimeve kushtetuese, me ndryshimin e tekstit të preambulës dhe pastaj ligjeve tjera.”
“Faza e tretë,” sipas tij, “është ajo me të cilën po ballafaqohemi aktualisht – dëmtimi edhe i asaj që është arritur.”
Ai kujton se negociatat ishin të vështira dhe shpesh të bllokuara.
“Për çdo kërkesë të shqiptarëve pala maqedonase ka pas mendim ndryshe, respektivisht ka kundërshtu kërkesat e palës shqiptare për gjithë përmbajtjen e Kushtetutës ndërkombëtarët i kanë dëgjuar argumentet tona dhe mendimin e palës tjetër dhe pastaj kanë dalë me një mendim të tyre se cila do të ishte zgjidhja që do t’i afronte të dy palët”, ka thënë Naser Ziberi.
Sipas tij, një nga arritjet më të mëdha ka qenë eliminimi i procesit të majorizimit në vendimmarrjet e Kuvendit dhe kushtëzimi i ligjeve që prekin të drejtat e shqiptarëve me pëlqimin e shumicës së deputetëve shqiptarë. Por ai pranon një mangësi të rëndësishme kjo nuk u aplikua te vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhja e Qeverisë, gjë që sot ushqen debatin se kush është legjitim për të përfaqësuar shqiptarët.
Paqja negative dhe dështimi i plotë sipas Pollozhanit –
Shpëtim Pollozhani, ish i përndjekur politik, është edhe më i prerë për të, Marrëveshja e Ohrit ka dështuar plotësisht. Ai e cilëson atë si marrëveshje për ndalimin e luftës, por jo si marrëveshje të vërtetë paqeje.
“Deri sot askush nuk e ka përmendur termin ‘paqe negative’. Paqe negative është gjendja kur shkaqet që kanë sjellë deri në konflikt nuk janë eliminuar me marrëveshje pas konfliktit. Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje për ndërprerjen e luftës, jo marrëveshje e paqes.”
Pollozhani kritikon trajtimin e pabarabartë të palëve të përfshira në konflikt.
“Në Marrëveshjen e Ohrit nuk përmendet fjala lufta e UÇK-së, nuk përmendet ushtari i UÇK-së por gjithnjë “pala tjetër”. Ka ligj për statusin e mbrojtësve, “branitellave”, nuk ka asnjëfarë lloj statusi për ushtarët e UÇK-së dhe viktimat e familjeve. Atyre u janë paguar dhjetëfish dëmet materiale, fizike e psiqike”, tha Shpërtim Pollozhani.
Ai denoncon edhe moszbatimin e shtyllave të barazisë në punësim e ekonomi.
“Çfarë janë 2,3,5 ose 6 mijë punësime në 130 mijë që janë të punësuar në sektorin publik, kjo sipas Entit Statistikor të vitit 2022?” Për Pollozhanin, përgjegjësia kryesore bie mbi politikën shqiptare: “Pala politike shqiptare në asnjë moment nuk e kushtëzoi me tërheqje nga qeveria, ose me bojkot, ose me mosvotim të ligjeve të rëndësishme të buxhetit ato kanë bërë ç’kanë pasur mundësi.”
Nga BDI te VLEN e njëjta lojë me rregulla të vjetra –
Këto dy qasje analiza e Ziberit dhe kritika e Pollozhanit takohen në një pikë mungesën e vullnetit politik për ta kthyer Marrëveshjen e Ohrit në realitet. Për gati dy dekada, BDI e ka përdorur marrëveshjen si flamur elektoral, por nuk e ka bërë asnjëherë vijë të kuqe në negociatat qeveritare.
Ndërsa VLEN, që tani paraqitet si alternativa, nuk ka dhënë ende shenja se do të ndjekë një strategji të ndryshme. Premtimet për “ndryshim” mbeten retorikë derisa të provohet se janë gati ta rrezikojnë një qeveri për zbatimin e plotë të marrëveshjes.
E vërteta është e hidhur Marrëveshja e Ohrit nuk dështoi vetëm nga mungesa e vullnetit të palës maqedonase, por edhe nga dorëzimi i shpejtë i partive shqiptare për hir të pushtetit afatshkurtër. Pa një presion të vazhdueshëm, mekanizma ligjorë detyrues dhe guxim politik për të kushtëzuar qeverisjen, çdo forcë që vjen në pushtet qoftë BDI apo VLEN rrezikon të përsërisë të njëjtën histori. /Zhurnal.mk