Tetovë, 26 qershor Zhurnal.mk – Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, në raportin për dy vjet qeverisje, theksoi se janë arritur rezultate të rëndësishme vetëm për tetë muaj që kur turizmi u mor në kuadër të ministrisë, përkatësisht pas shfuqizimit të Agjencisë për promovimin dhe mbështetjen e turizmit në vitin 2025.
“Buxheti është rritur nga 58 milionë denarë në vitin 2023 në 186 milionë denarë këtë vit. Kjo është një rritje prej më shumë se 200 për qind. Jemi hapur për tregje të reja, të cilat u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Së bashku u përfaqësuam në roud- shou dhe B2B në Gjermani, Spanjë, Finlandë, ku veçohet eventi “New Deal of Europe” në Londër. Janë ndërmarrë aktivitete përgatitore dhe komunikim intensiv me operatorët turistikë nga Holanda dhe Polonia”, ka thënë Lutkovi në konferencën për shtyp.
Tha se me ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit do të merren 4 për qind shtesë për zhvillimin e turizmit dhe informoi se në korrik do të hapet Info qendra turistike në qendër të Shkupit ku çdo turist do të ketë mundësinë të informohet për të gjitha përmbajtjet kulturore, historike dhe turistike në një vend.
“Jam veçanërisht krenar që në një periudhë shumë të shkurtër kohore janë hedhur themelet e dokumentit strategjik për turizmin me një plan veprimi ku me masa konkrete do ta pozicionojë Maqedoninë jo vetëm si një destinacion për një vizitë të shkurtër, por si një destinacion konkurrues evropian me një përvojë autentike, vlerë më të lartë dhe ndikim më të madh lokal”, ka shtuar ministri.

