PLetvar, 26 qershor Zhurnal.mk – Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në qafën e Pletvarit, në afërsi të restorantit “Che”, ku sipas informacioneve të para jozyrtare, një person ka humbur jetën.
Sipas të dhënave fillestare, bëhet fjalë për drejtuesin e një kamioni tip kiper, i ngarkuar me rërë, i cili për arsye ende të panjohura ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Për shkak të aksidentit tragjik, qarkullimi në këtë segment rrugor është bllokuar plotësisht. Janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa shumë mjete kanë mbetur të bllokuara edhe në tunelet e Grykës së Drenovës.
Autoritetet janë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, si dhe për largimin e kamionit nga rruga. Ende nuk ka informacion se kur do të normalizohet qarkullimi në këtë aks rrugor.
Policia pritet të dalë me më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve në vendin e ngjarjes.

