Tiranë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Dita e fundit e muajit qershor ishte afati përfundimtar në kuadër të periudhës së katërt raportuese për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përmbushur reformat e parashikuara nga Plani i Rritjes për këto vende.
Tani, këto vende kanë afat deri më 15 korrik për t’i dorëzuar raportet mbi hapat e zbatuar të reformave.
Komisioni Evropian (KE) më pas do të vlerësojë përmbushjen e tyre dhe do të vendosë për pagesat përkatëse për secilin vend.
Megjithatë, zyrtarët e KE-së theksojnë se të hollat ndahen vetëm pasi të jetë vlerësuar se reformat nga agjendat e reformave të vendeve përkatëse janë zbatuar në të vërtetë.
“Instrumenti për reforma dhe rritje bazohet në performancë dhe fondet paguhen vetëm kur reformat zbatohen plotësisht”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
“Tashmë po shohim përparim të rëndësishëm: 78 për qind e reformave në tri rundet e para të raportimit tregojnë ose sukses të plotë, ose të paktën njëfarë përparimi, ndërsa vetëm 22 për qind janë të bllokuara”, shtoi zëdhënësi.
Këto fonde, sipas rregullave të Planit të Rritjes, mund të rishpërndahen te vendet që arrijnë rezultate më të mira në zbatimin e reformave.
Sipas Mercier, vendet përfituese kanë një vit kohë për t’i përmbushur kushtet përpara se fondet të rishpërndahen.
Kosova pritet t’i humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes për shkak të moszbatimit të reformave me kohë, tha të mërkurën kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj.
Përveç kësaj, 30 qershori shënoi përfundimin e të ashtuquajturës periudhë “grejs”, pra kohës shtesë, që Komisioni Evropian kishte miratuar për hapat reformues që fillimisht duhej të përfundonin në mesin e vitit 2025. Për hapat reformues me afate në fund të 2024 dhe në fund të 2025, periudhat përkatëse shtesë përfundojnë më vonë gjatë vitit 2026.
“Siç është theksuar në Rregullore, kur hapat reformues nuk përmbushen as pas përfundimit të periudhës së grejsit, fondet përkatëse mund të rishpërndahen te përfituesit e tjerë. Kur bëhet fjalë për hapat me afat 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv të të gjithë përfituesve”, deklaroi zëdhënësi i KE-së.
Ai, në emër të Komisionit Evropian, u bëri thirrje vendeve të rajonit të intensifikojnë përpjekjet në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë para periudhave të ardhshme raportuese.
“Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit në mënyrë që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes”, tha Mercier.
Sa para kanë marrë deri tani vendet e Ballkanit Perëndimor?
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut vlerësohen si shtetet më të përparuara në zbatimin e agjendave të reformave.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, Shqipëria ka zbatuar 33 hapa reformues në tri ciklet e para dhe deri tani ka marrë më shumë se 212 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Kosova deri tani nuk ka zbatuar asnjë hap reformues, prandaj ka marrë vetëm fonde të parafinancimit – mbi 61 milionë euro, që përbëjnë 7 për qind të shumës totale të destinuar për këtë vend.
Maqedonia e Veriut ka marrë më shumë se 142 milionë euro pasi ka përmbushur 22 hapa reformues.
Serbia gjatë tre periudhave të para raportuese ka zbatuar tre hapa reformues, mbi bazën e të cilëve Komisioni Evropian ka miratuar pagesa prej më shumë se 167 milionë euro.
Bosnje e Hercegovina ndodhet në pozitën më të vështirë. Jo vetëm që nuk ka marrë asnjë euro nga Plani i Rritjes, por vitin e kaluar humbi 108 milionë euro për shkak të vonesave në dorëzimin e Agjendës së saj të Reformave.
Sa fonde janë të destinuara për secilin vend?
Buxheti i përgjithshëm i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është 6 miliardë euro për periudhën 2024–2027. Nga kjo, 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë janë kredi me kushte të favorshme.
Fondet janë shpërndarë sipas dy kritereve bazë – numrit të popullsisë dhe bruto produktit të brendshëm.
Komisioni Evropian i ka kombinuar këta tregues për të përcaktuar një formulë proporcionale të shpërndarjes midis gjashtë përfituesve, duke siguruar që vendet më të mëdha të marrin më shumë në total, por duke marrë parasysh edhe nevojat e tyre ekonomike.
Sipas këtyre kritereve, Kosovës i takojnë 882 milionë euro, Serbisë 1.5 miliard euro, Bosnje e Hercegovinës 976 milionë euro, Shqipërisë 922 milionë euro, Maqedonisë së Veriut 750 milionë euro dhe Malit të Zi 383 milionë euro. /rel/

