Shkup, 7 korrik, Zhurnal.mk – Në Kuvend pritet të zhvillohet një takim i ri për Kodin Zgjedhor. Levica propozon kompromis për votimin e diasporës, ndërsa SDSM dhe VMRO DPMNE mbeten në qëndrime të kundërta, shkruan DW, transmeton Zhurnal.
Partitë parlamentare, në takimin e sotëm në Kuvend, do të përpiqen të dalin nga ngërçi rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Në fokus të bisedimeve janë votimi i diasporës, modeli i njësive zgjedhore dhe rregullat për financimin e fushatës zgjedhore.
Grupi parlamentar i VMRO DPMNE pret qëndrimet e SDSM dhe BDI për propozimin e tyre për futjen e votimit me postë për diasporën. Sipas propozimit, e gjithë procedura do të rregullohej me akt nënligjor që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet ta miratojë më së voni deri më 30 shtator 2028. Nga VMRO DPMNE theksuan se janë të gatshëm të pranojnë edhe një njësi të vetme zgjedhore si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë politike.
Levica kërkon kompromis dhe një njësi zgjedhore
Lideri i Levicës, Dimitar Apasiev, thotë se është i gatshëm për marrëveshje politike me pushtetin rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, por me kusht që të futet një njësi e vetme zgjedhore.
Në një intervistë për Sloboden Peçat, ai theksoi se kompromisi duhet të jetë i dyanshëm. Ai propozoi që votimi me postë i diasporës të zbatohet si model eksperimental dhe vetëm në zgjedhjet presidenciale. Sipas tij, zgjedhjet presidenciale janë të vetmet zgjedhje për të cilat kërkohet census i daljes, ndërsa presidenti e përfaqëson shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj diaspora duhet të ketë mundësi të marrë pjesë pikërisht në zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sa i përket mundësisë për votim elektronik të diasporës, Apasiev shprehu kundërshtim kategorik, duke theksuar se një model i tillë zbatohet vetëm nga një numër i vogël shtetesh. Ai paralajmëroi edhe për mundësinë e keqpërdorimeve në votimin e të shpërngulurve, duke vlerësuar se ekzistojnë rreziqe serioze që duhet të adresohen para futjes së një modeli të ri votimi.
Prioritet kyç për Levicën mbetet futja e një njësie zgjedhore dhe rregullimi i financimit të reklamimit politik të paguar.
“Problemi kronik dhe akut i legjislacionit zgjedhor maqedonas është mungesa e një njësie të vetme zgjedhore. Ne, si parti që jemi më së shumti të dëmtuar nga ky cikël zgjedhor, kemi të drejtë ta iniciojmë këtë çështje dhe ta ngremë lart në agjendë. Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2020, kur Levica u bë për herë të parë parti parlamentare me dy deputetë, me të njëjtin numër votash, po të kishte një njësi zgjedhore, do të kishim pesë deputetë. Pra, në çdo zgjedhje jemi të dëmtuar për tre deri në katër deputetë nga ky model zgjedhor”, përfundoi ai.
SDSM: Nuk do të lejojmë grabitje zgjedhore
Për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të cilat janë në procedurë parlamentare, janë dorëzuar rreth 13.500 amendamente nga SDSM dhe Levica.
SDSM e hodhi menjëherë poshtë propozimin për votim elektronik, duke theksuar se nuk është kundër pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor, por kundër një modeli që nuk garanton siguri të mjaftueshme, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit zgjedhor. Partia mbetet në qëndrimin se pas përpjekjes së pasuksesshme për futjen e votimit elektronik, tani po tentohet të imponohet votimi me postë pa mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe sigurie.
“Gënjeshtër është se SDSM është kundër votimit të diasporës, sepse të shpërngulurit votojnë edhe tani. Ne jemi kundër një modeli që hap derën për grabitje zgjedhore dhe manipulim me votat e 200 mijë qytetarëve nga diaspora”, thonë nga SDSM.
Partia shton se pushteti refuzon që KSHZ me konsensus t’i rregullojë këto procedura dhe pyet pse shmangen mekanizmat që do të siguronin kontroll dhe besim më të madh në procesin zgjedhor.
“SDSM nuk do të lejojë grabitje zgjedhore. Pushteti duhet të tërhiqet nga këto qëllime dhe të dorëzojë propozim të ri në të cilin KSHZ me konsensus do ta rregullojë votimin e diasporës”, theksojnë nga opozita.
Kryeministri Hristijan Mickoski ditëve të fundit shprehu shpresë se mosmarrëveshjet me opozitën mund të tejkalohen dhe deri më 15 korrik të gjendet zgjidhje. Ai tha se Qeveria dhe VMRO DPMNE janë të gatshme të pranojnë një njësi zgjedhore, madje edhe kërkesat e Levicës për më shumë mjete për financimin e fushatave të partive më të vogla, nëse kjo mundëson miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.
Marrëveshje për shpërndarjen e mjeteve
Pjesëmarrësit në grupin punues për Kodin Zgjedhor, sipas informacioneve të para, kanë arritur pajtim rreth modelit për shpërndarjen e mjeteve buxhetore të destinuara për zgjedhjet.
Sipas propozimit, numri i deputetëve do të jetë kriteri bazë për shpërndarjen e 97 për qind të mjeteve, ndërsa 3 për qind do të ndahen për partitë që nuk kanë deputetë në Kuvend.
Sipas modelit të propozuar:
• 42% e mjeteve do të shkojnë për dy partitë më të mëdha të pushtetit,
• 42% për dy partitë më të mëdha të opozitës,
• 8% për partitë me grupe parlamentare,
• 5% për partitë pa grupe parlamentare,
• 3% për partitë jashtëparlamentare dhe grupet e votuesve.

