Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Në çdo shoqëri siguria publike është parimi më bazik mbi të cilin ndërtohet rendi, besimi dhe normaliteti i përditshëm. Por çfarë ndodh kur ky parim lëkundet? Çfarë ndodh kur veturat nisin të digjen para banesave, në rrugë, në parkingje të lagjeve të banuara, sikur të ishin “qibrita” që marrin flakë me një prekje? Në ato hapësira ku kalojnë fëmijë, të moshuar, prindër, punëtorë që kthehen nga puna shpërthen papritur një zjarr që mund të përfshijë gjithçka përreth. Dhe zinxhiri vazhdon një veturë merr flakë, pastaj të tjerat në radhë. Kush po jep llogari për këtë? Kush po mban përgjegjësi për një fenomen që po kthehet në normalitet të rrezikshëm? shkruan Zhurnal.
Sa vetura u ndezën brenda një jave?
Vetëm gjatë javës së fundit, mediat raportuan disa raste të veturave të djegura në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë shumica gjatë orëve të vona të natës, në parkingje të lagjeve të banuara.
Në Shkup, brenda pesë ditëve u raportuan tre raste të veturave të djegura në lagjet Çair, Aerodrom dhe Kisella Vodë.
Në Kumanovë, një veturë u dogj para banesës së pronarit, ndërsa banorët raportuan se flakët rrezikuan edhe hyrjen e ndërtesës.
Në Tetovë, një veturë u dogj në parkingun e një kompleksi banesor, duke shkaktuar dëme edhe në dy vetura të tjera të afërta.
Ky ritëm i ngjarjeve nuk është i ri, edhe vitin e kaluar, sidomos gjatë muajve maj–gusht, u raportuan mbi 15 raste të veturave të djegura në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar. Në disa prej tyre, policia konfirmoi se bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa në të tjerat shkaku mbeti i paqartë.
Fenomeni ka një tipar të përbashkët ndodh në heshtje, shpërndahet si lajm, por nuk ka epilog. As autorë, as motiv, as përgjegjësi të qartë.
Kush po jep përgjegjësi për këto veprime?
Kjo është pyetja që i shqetëson qytetarët më shumë. Veturat digjen, lajmi shpërndahet, policia konfirmon se “rasti po hetohet”, por më pas gjithçka heshtet. Nuk ka informacione për autorët, nuk ka të dhëna për motivet, nuk ka transparencë për ecurinë e hetimeve.
Në mungesë të epilogut, krijohet një realitet i rrezikshëm secili qytetar mund të jetë viktima e radhës. Derisa autorët nuk identifikohen dhe nuk publikohen, siguria publike mbetet e cenuar. Qytetarët nuk e dinë nëse bëhet fjalë për hakmarrje personale, për krim të organizuar, për paralajmërime mes grupeve, apo thjesht për vandalizëm të pakontrolluar. Por pavarësisht motiveve, forma e veprimit është e papranueshme.
Kujtojmë që, qytetarët nuk mund të jetojnë në pasiguri të përhershme, duke shpresuar që vetura e tyre, banesa e tyre apo fëmijët e tyre të mos jenë viktima të radhës. Institucionet duhet të japin llogari, të publikojnë rezultate, të identifikojnë autorët dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve. Sepse siguria nuk është statistikë është e drejta themelore e çdo njeriu që jeton në këtë vend. /Zhurnal.mk

