TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me momente të forta tensioni, brenda dhe jashtë saj, ku deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë për mënyrën sesi është menaxhuar tubimi i qytetarëve nga ana e Policisë. Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend, akuzoi qeverinë për mungesë reagimi ndaj situatës jashtë Parlamentit, duke thënë se protestuesit duhet të trajtohen me dinjitet dhe jo si kundërshtarë.
“U shfaq këtu një skenë sa cinike aq makabre, ku një pjesë e ministrave qeshnin. Në fakt fjala qeshnin është delikatesë, por u zgërdhinin në një kohë kur ata jashtë nuk janë armiq të Shqipërisë, por janë qytetarë të Republikës, të cilët protestojnë për një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme, kundër korrupsionit dhe kanë 1000 arsye të zotit për të qenë të zemëruar”, deklaroi Gjekmarkaj.
Sipas tij, cilësia e një proteste është pjesë e cilësisë së demokracisë dhe qytetarët kanë të drejtë kushtetuese të shprehin pakënaqësinë e tyre.
“Cilësia e protestës është edhe cilësi e demokracisë. Ju po ju siguroni atyre përgjakje”, tha deputeti demokrat, duke kërkuar që drejtues të Policisë së Shtetit të japin shpjegime për substancat e përdorura gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve.
Ai pretendoi se përdorimi i disa mjeteve nga policia kishte shkaktuar djegie te qytetarët dhe tha se ambulancat po lëviznin vazhdimisht për shkak të të lënduarve.
“Zoti Lamallari duhet të vijë këtu dhe të japë shpjegime për substancat që po përdoren kundër tyre, të pazakonta që po ju shkaktojnë djegie trupi. Ambulancat shkojnë e vijnë”, u shpreh Gjekmarkaj.
Në përgjigje të akuzave të opozitës, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se mjetet e përdorura nga Policia e Shtetit janë mjete të certifikuara dhe përdoren për vetëmbrojtje dhe neutralizimin e personave të dhunshëm.
“Në përgjigje të interesimit të deputetit Gjekmarkaj lidhur me lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit, lëndët janë mjete irrituese speciale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të cilat janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren nga forcat policore në vendet e BE dhe SHBA”, tha Lamallari.
Ministri akuzoi opozitën se po mban qëndrime kontradiktore ndaj policisë dhe tha se ajo duhet të distancohet nga personat që përdorin dhunë gjatë protestave.
“Lajmi këtu është që kishte lezet partia e molotovarëve që i dilte në ballë gjëse me njerëzit me kapuç, por tani që hedhin gurin e fshehin dorën, të shndërrohet nga partia e molotovarëve në partinë e skuthave…paguajnë njerëz dhe mendojnë se protesta mund të behet me mercenarë të paguar, kjo nuk ndodh kurrë. Kur flitet për protesta ju duhet të rrini urtë dhe mos bëni moral për Policinë e Shtetit. Nuk keni asnjë të drejtë të pretendoni se ju përfaqësoni zërin e protestës atje. Largoni njerëzit me kapuça”, tha Lamallari.
Ai shtoi se Policia e Shtetit po kryen detyrën e saj për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Pas fjalës së Lamallarit, deputeti i PD-së, Flamur Noka, reagoi ashpër duke akuzuar ministrin për lidhje me segmente kriminale.
“Teksa dëgjon këtë ministër ndjen keqardhje për nivelin ku është katandisur shteti shqipar. Ka turp më të madh! Po ç’ministër je ti? Je ushtar i Oltion Bistrit. Ju s’keni lidhje me shtetin, keni lidhje me bandat”, tha Noka.
Ndërkohë që një tjetër replikë e fortë ishte ajo mes Ballës dhe Nokës. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, tha se opozita është e ‘përdhunuar’ nga protesta, dhe është hera e parë në histori që qytetarët janë kundër tyre.
“Jeni parti e përdhunuar nga ajo protestë. Por ne kurrësesi për asnjë moment s’do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vet shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit ngre dorë mbi vet shtetin. Policia po e bën detyrën e vet në mënyrë të shkëlqyer. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta, prandaj nuk distancoheni. Z.kryetar Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër policisë”, u shpreh Balla.
Më herët Balla akuzoi opozitën se nuk është distancuar nga aktet e dhunshme dhe kërkoi që Kuvendi të mbajë një qëndrim të qartë kundër sulmeve ndaj policisë.
“Solidarizim i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit, kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi Balla.

