Tiranë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli fajtorë gjashtë ish-zyrtarë të Bashkisë së Divjakës për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Në vendimin e publikuar nga GJKKO bëhet me dije se të dënuarit janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini.
Çështja lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një vlerë totale prej rreth 1 milion eurosh. Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), hetimet zbuluan parregullsi në procedurat e prokurimit publik, të cilat dyshohej se cenonin konkurrencën dhe favorizonin operatorë të caktuar ekonomikë. Hetimi nisi si vijim i një fraksioni të shkëputur nga një dosje tjetër penale.
Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Për secilin prej të pandehurve, gjykata caktoi fillimisht dënimin me 1 vit burg, i cili u ul në 8 muaj burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për Dorjan Spahon, Sara Xhepën dhe Roklejd Malkon, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik, të cilat duhet të kryhen brenda gjashtë muajve nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.
Ndërsa për Fatos Veliun, Elbareta Nishicën dhe Vojsava Leçinin, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien në provë për 16 muaj, si edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet proceduriale të përballohen në mënyrë solidare nga të gjashtë të dënuarit.
Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve.





