Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësim lidhur me spotin qeveritar të publikuar me rastin e *35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut*, duke kritikuar përmbajtjen e tij dhe mungesën, sipas tyre, të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.
Nga ASH vlerësojnë se është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi atë që e cilësojnë si “narrativë njëetnike”.
“Është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë njëetnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Sipas ASH-së, shqiptarët kanë qenë pjesë e rëndësishme e proceseve politike dhe shoqërore të vendit, që nga periudha e pavarësimit e deri te ndërtimi i institucioneve demokratike, anëtarësimi në NATO dhe procesi i integrimit evropian.
ASH thekson se kontributi i shqiptarëve në jetën politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe shoqërore të vendit është, sipas saj, i pamohueshëm dhe nuk duhet të anashkalohet në narrativën zyrtare.
Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët i kërkon Qeverisë që ta *tërheqë spotin aktual* dhe të publikojë një material të ri, të cilin e cilëson si dinjitoz, përfaqësues dhe gjithëpërfshirës.
“Duhet të respektohet gjuha shqipe dhe të pasqyrohet në mënyrë të denjë kontributi i shqiptarëve në historinë, ndërtimin dhe të tashmen e këtij shteti”, kërkon ASH.
ASH shpreh gjithashtu keqardhje për heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët, sipas ASH-së, nuk kanë reaguar edhe pse, siç pretendojnë, është prekur drejtpërdrejt dinjiteti, identiteti dhe përfaqësimi i shqiptarëve.
“Shteti është i të gjithë qytetarëve të tij dhe edhe simbolika shtetërore duhet ta dëshmojë këtë”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.

