Pekin, 21 gusht, Zhurnal.mk – Kina deklaroi sot se sanksionet dhe presioni ekonomik amerikan nuk janë zgjidhja për çështjen e Iranit, duke u bërë thirrje palëve të përfshira që ta zgjidhin krizën përmes diplomacisë dhe dialogut politik.
“Sanksionet dhe presioni nuk do ta zgjidhin problemin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, gjatë konferencës së rregullt për shtyp.
“Kina u bën thirrje të gjitha palëve të marrin masa të përgjegjshme dhe të ndjekin rrugën politike e diplomatike”, theksoi ai.
Pekini, kundërshton sanksionet e njëanshme dhe të paligjshme që, sipas tij, nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk janë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Deklarata e Kinës vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar presion mbi aleatët e tyre dhe Pekinin për t’iu bashkuar përpjekjeve për të dobësuar ekonomikisht Teheranin.
Kina është një nga partneret më të rëndësishme strategjike dhe ekonomike të Iranit.
Sipas kompanisë së analizës së tregut të naftës ”Kpler”, më shumë se 80% e eksporteve iraniane të naftës para luftës shkonin drejt Kinës, duke e bërë Pekinin një treg jetik për ekonominë iraniane.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi të enjten se çdo shtet që do të vazhdonte të mbante lidhje me Teheranin do të rrezikonte ta çonte ekonominë e vet “drejt humnerës”.
Qëndrimi i Pekinit tregon se Kina nuk duket e gatshme t’i bashkohet fushatës amerikane të presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërsa marrëdhëniet e saj me Teheranin mbeten të rëndësishme për furnizimin me energji dhe interesat e saj strategjike.

