Tiranë, 22 shtator, argument.mk/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbështetur propozimin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për vendosjen e rregullave më të forta mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet me konsensus politik edhe në Shqipëri.
Gjatë Takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, Balla ftoi deputetët e opozitës që të mbështesin nismën e Komisionit Europian, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital është një përgjegjësi e përbashkët.
Ai iu referua modelit të propozuar “EU Kids Act”, sipas të cilit fëmijët nën 13 vjeç nuk duhet të kenë akses në rrjetet sociale, ndërsa grupmosha 13–15 vjeç duhet të përdorë llogari të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët. Për të rinjtë nga 15 deri në 18 vjeç, Balla mbështeti përdorimin e llogarive autonome, të shoqëruara me standarde të forta sigurie nga platformat digjitale.
“Ftoj edhe kolegët e opozitës që propozimin e zonjës Von der Leyen lidhur me mënyrën e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët ta mbështesim të gjithë, pa dallim”, u shpreh Balla.
Sipas tij, platformat duhet të zbatojnë parimin “safety by design”, duke integruar sigurinë e fëmijëve që në fazën e projektimit të shërbimeve të tyre, përfshirë edhe ato në gjuhën shqipe. Balla theksoi se Shqipëria duhet të nisë diskutimet për përafrimin me standardet e reja europiane në mbrojtje të fëmijëve në hapësirën digjitale.

