Kosova do ta nisë edicionin e ri të Ligës së Kombeve këtë të enjte, kur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të përballet me Irlandën nga ora 20:45.
UEFA ka caktuar një ekip gjyqtarësh nga Belgjika për këtë sfidë, me Lawrence Visserin si gjyqtar kryesor.
Për Visserin, kjo do të jetë hera e dytë që gjykon një ndeshje të Kosovës.
Herën e parë, gjyqtari belg ishte në qendër të sfidës mes Kosovës dhe Ishujve Faroe, e zhvilluar po në “Fadil Vokrri” dhe e vlefshme për Ligën e Kombeve 2018/19.
Në atë përballje, ‘Dardanët’ triumfuan me rezultat 2-0.
Në ndeshjen e së enjtes ndaj Irlandës, Visser do të ketë në krah si asistentë Ruben Wynsin dhe Michele Seeldraeyers.
Gjyqtari i katërt do të jetë Kevin Van Damme.
Ndërkohë, në sistemin VAR, UEFA ka caktuar Jan Boterbergun si gjyqtar kryesor të VAR-it, ndërsa Simon Bourdeaud’hui do të jetë asistenti i tij.
Kështu, sfida Kosovë – Irlandë do të drejtohet tërësisht nga një ekip gjyqtarësh belgë.


