Tiranë, 22 shtator, argument.mk/ – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu zhvilloi sot takimin e parë në Shqipëri me drejtuesin e ri të zyrës së OBSH-së, dr. Fabio Scano.
Gjatë takimit, dr. Scano dorëzoi certifikatën e ETAGE, të mbledhur nga OBSH/Europa, që konfirmon se Shqipëria ka arritur objektivat europiane për kontrollin e hepatitit B përmes imunizimit.
Spahiu informon se përveç çështjeve të rëndësishme që lidhen me përmirësimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në Shqipëri, forcimin e sistemit shëndetësor, kujdesin shëndetësor parësor, parandalimin e sëmundjeve, shëndetin mendor, reformën spitalore dhe personelin shëndetësor, diskutimi u ndal edhe në dy çështje me rëndësi strategjike.
Ministrja Spahiu tha se “do të nisë një projekt i përbashkët i OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për shëndetin publik në Ballkanin Perëndimor. Kjo nismë, e diskutuar në nivelin më të lartë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe OBSH-së për Europën, do të kishte rëndësi të veçantë për forcimin e rolit subrajonal të Shqipërisë në shëndetin publik”.
“Bashkëpunimin me OBSH-në në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë në fushën e shëndetësisë, veçanërisht përmes mbështetjes teknike për përafrimin e politikave shëndetësore, legjislacionit dhe kuadrit rregullator me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe standardet përkatëse të BE-së”, tha Spahiu, ndërsa i uroi dr. Scanos suksese në detyrën e re.

