Shkup, 1 tetor, argument.mk/ – MEPSO ka nisur investime në modernizimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, me fokus në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të rrjetit. Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, gjatë një vizite në terren, ka bërë të ditur se një nga projektet përfshin edhe rikonstruksionin dhe modernizimin e plotë të Trafostacionit Elektrik Shkupi 4 në Pintija, në afërsi të Studeniçanit.
Objekti i trafostacionit është ndërtuar në vitin 1976 dhe, pas pesë dekadash, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Sipas Latifit, ndërhyrja nuk përfshin vetëm rinovimin e objektit, por synon edhe përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e sigurisë së sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.
Në kuadër të projektit parashihet rikonstruksioni i gjithsej tetë trafostacioneve, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit energjetik dhe modernizimit të infrastrukturës ekzistuese.
Në Trafostacionin Shkupi 4, krahas punimeve të rikonstruksionit, është paraparë edhe instalimi i një centrali fotovoltaik, i cili do të shfrytëzohet për nevojat e vetë objektit.
Sipas drejtorit të MEPSO-s, Latifi, investimet janë pjesë e angazhimit për modernizimin e infrastrukturës së transmetimit dhe krijimin e një sistemi më të sigurt dhe më efikas.
“Përkushtimi ynë është i qartë: të jemi në terren, të investojmë dhe të modernizojmë infrastrukturën që kemi trashëguar”, ka deklaruar Latifi.
MEPSO thekson se përmes këtyre investimeve synohet që në të ardhmen rrjeti i transmetimit të energjisë elektrike të jetë më i sigurt, më efikas dhe më i qëndrueshëm.

