Shkup, 27 tetor, argument.mk/ – Me qëllim forcimin e edukimit financiar, nxitjen e përfshirjes financiare dhe rritjen e vetëdijes dhe mbrojtjes së konsumatorëve gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në kushtet bashkëkohore të digjitalizimit, nga 28 tetori deri më 5 nëntor do të organizohen një sërë aktivitetesh në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Kursimit, më 31 tetor, dhe Ditëve të Edukimit Financiar.
Me rastin e Ditës Botërore të Kursimit, më 31 tetor, Banka Popullore do të organizojë një punëtori për kursimin me nxënës të një shkolle fillore, e cila do të mbahet në hapësirat e shkollës, ndërsa më pas nxënësit do të vizitojnë Bankën Popullore, ku do të njihen me punën e institucionit. Gjithashtu, në Bankën Popullore do të organizohen ligjërata edukative dhe një kuiz për nxënësit e një shkolle të mesme.
Në kuadër të bashkëpunimit me Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme, këtë vit nxënësit do të vizitojnë Bankën Popullore, ku do të organizohet një tribunë me temën: “Rëndësia e kursimit për ekonominë dhe individin”, në të cilën gjimnazistët do të kenë mundësi të diskutojnë për paratë, kursimin, investimin dhe menaxhimin e financave personale.
Në kuadër të Ditëve të Edukimit Financiar, Banka Popullore do të organizojë një ngjarje virtuale me temën “Përfshirja financiare gjinore”, e cila do të mbahet më 4 nëntor 2026. Ligjëratën do ta mbajë Elizabeth Naumovski, e cila jeton në Kanada dhe është ligjëruese e njohur në fushën e edukimit financiar dhe folëse motivuese për gratë.
Po ashtu, në bashkëpunim me Bankën Botërore, Banka Popullore do të publikojë një video edukative me temën: “Si të dërgoni para në vendlindje përmes SEPA-s – Zona e Vetme Evropiane e Pagesave”, me qëllim informimin e qytetarëve për përparësitë e pagesave dhe transfertave ndërkufitare në euro me më shumë se 40 vende anëtare të SEPA-s.
Ndër të tjera, Banka Popullore do të organizojë edhe vizita në shkolla fillore në mjediset rurale të vendit, në kuadër të karavanit rural, me qëllim njohjen e nxënësve me funksionet dhe detyrat e Bankës Popullore.
Banka Popullore tashmë për të katërmbëdhjetin vit me radhë e shënon Ditën Botërore të Kursimit. Ndërkaq, Ditët e Edukimit Financiar organizohen për herë të dhjetë dhe realizohen nga institucionet rregullatore financiare: Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, Agjencia për Supervizion të Sigurimit Pensional me Kapital (MAPAS) dhe Agjencia për Supervizion të Sigurimeve, në bashkëpunim me sektorin privat financiar dhe organizatat e shoqërisë civile.

