Tiranë, 27 tetor, argument.mk/ – Ashtu si në komisionet e tjera edhe në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat nisi me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës lidhur me protestën e të rinjve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Aliolli, tha se PD do të jetë në mbështetje të të rinjve. “Studentët janë në shesh dhe ne do të jemi në shesh”, tha ajo.
Aliolli u shpreh se “mbledhja nuk mund të ketë një rend dite normale, duke ditur që jashtë kësaj salle ka të rinj që protestojnë për të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, ata dhunohen. Konkretisht kemi rastin e djalit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili sot po lufton për veten e tij, sepse është në rrezik të humbasë shikimin”.
Sipas saj, ndaj të rinjve, studentëve po ushtrohet dhunë në mënyrë shtazarake.
“Ata po luftojnë për të drejtën e tyre dhe kundër modelit që ka ndërtuar Edi Rama”, tha Aliolli.
Pas fjalës së saj, deputetja Aliolli vendosi të largohej, ndërsa nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe tha se PS është akoma e hapur për dialog.
“Prej 15 ditësh ka protesta në Tiranë, madje më shumë se 15 ditë. Diferenca është që protestat e këtyre 15 ditëve kanë qenë të dhunshme dhe dhuna ka tejkaluar ligjin dhe rendin publik e kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Unë shpreh keqardhjen e pafundme për çdo të lënduar nga aktet e dhunës, përfshirë atë ndaj efektivëve të policisë, ashtu siç shpreh keqardhjen për çdo akt dhune ndaj qytetarëve në protestë. Diferenca nuk e bën termin student. Diferencën e bëjnë aktet e dhunës”, theksoi Braçe.
Ne, vijoi Braçe, kemi të gjithë vëmendjen e duhur për të dëgjuar kërkesën e studentëve, me përjashtim të atyre që ushtrojnë dhunë dhe nuk lejojnë vendosjen e një dialogu të qartë të qytetarëve në protestë.
“Patjetër që gjithsecili bën punën e tij. Përfaqësuesit e PD-së kanë zgjedhur këtë qëndrim. Ne kemi zgjedhur këtë qëndrimin tjetër”, tha Braçe.

