Tiranë, 27 tetor, argument.mk/ – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratat për ndërtimin e 9 kilometrave të tjerë të rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, ndërsa bëri të ditur se financimi është siguruar edhe për 10 kilometrat e fundit.
Gjatë një inspektimi mbi ecurinë e punimeve në këtë aks rrugor, Karakaçi tha se loti i parë, me gjatësi 5 kilometra deri në Pezë, ka përfunduar dhe është marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas tij, pas përfundimit të punimeve për Lotin 1, do të nisë shumë shpejt puna për 9 kilometrat e tjerë pasues të kësaj rruge, e cila jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve, por do të nxisë edhe zhvillimin ekonomik të gjithë zonës”.
“Segmenti prej 10 kilometër që të çon deri në Plepa, Durrës, tashmë është i financuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapë procedurën e konkurrimit. Pra kemi një segment tashmë Kombinat-Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometrat vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme kontratat nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe 10 kilometrat pasues që të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapim procedurën konkurruese”, bëri të ditur ai.
Sipas ministrit, synimi është që kontraktimi të përfshijë të gjithë segmentin deri në Durrës, duke krijuar një alternativë për lëvizjen e automjeteve drejt qytetit bregdetar dhe duke lehtësuar trafikun, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Ai theksoi se rruga do të përmirësojë gjithashtu aksesin e zonave bujqësore me Tiranën dhe Durrësin, si dhe do të ndikojë në rritjen e vlerës së pronave përgjatë gjurmës së saj.
“Është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik. Po ashtu këtu kemi një zonë bujqësore dhe është edhe më e thjeshtë dhe më e shpejtë tashmë aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Por, po ashtu, kjo është një zonë piktoreske, dhe bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment”, tha Karakaçi.
Ndërsa drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se rruga do të ndërtohet sipas kategorisë C1, me gjerësi 12,5 metra. Ajo do të ketë dy karrexhata, me gjerësi 3,75 metra secila, dy bankina të asfaltuara me gjerësi 1,5 metra dhe dy bankina të paasfaltuara me gjerësi 1 metër.
Një tjetër ndërhyrje në këtë aks është ndërtimi i urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen, për të cilën kontrata është lidhur në korrik të këtij viti. Ura do të ketë gjatësi 179 metra dhe gjashtë hapësira drite, ndërsa do të ndërtohet paralelisht me urën ekzistuese.
Kozeli tha se punimet kanë nisur pas përfundimit të piketimeve dhe lirimit të sheshit të ndërtimit. Afati i kontratës për urën është 12 muaj, ndërsa dy kontratat për 9 kilometrat e rrugës kanë afat zbatimi 24 muaj.

