Tiranë, 11 nëntor, argument.mk/ – Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli bëri të ditur sot digjitalizimi i hartave kadastrale po vijon me synimin për t’u përmbyllur brenda vitit.
Sipas saj, gjatë digjitalizimit disa shërbime mund të kenë kufizime për 21 ditë.
“Ato rifillojnë menjëherë pas përfundimit të procesit në zonën tuaj. Për të parë statusin e digjitalizimit në zonën tuaj kadastrale vizitoni platformën e dedikuar në faqen zyrtare të ASHK-së. Ky projekt po realizohet me mbështetjen e BE-së dhe asistencën teknike të UNOPS”, u shpreh Goxhobelli.
“Në maj të këtij viti ka nisur digjitalizimin e hartave kadastrale dhe të gjithë që mund të kenë marrë një përgjigje nga drejtoria vendore se shërbimi nuk mund të ofrohet për shkak të digjitalizimit të hartave në zonën e tyre nuk duhet të shqetësohen. Ky kufizim është i përkohshëm. Gjatë digjitalizimit, hartat skanohen, gjenerohen dhe integrohen në sistemin e Kadastrës, procese që për 21 ditë nuk lejojnë të kryhen veprime në harta”, u shpreh Goxhobelli.
Sipas Goxhobellit, ato rifillojnë menjëherë pas përfundimit të punës në atë zonë.
“Deri më sot kemi digjitalizuar të gjitha hartat në 1345 zona kadastrale të Shqipërisë, ndërsa për 589 zona të tjera jemi drejt përfundimit. Qytetarët kanë mundësinë që të konsultojnë në kohë reale statusin e digjitalizimit në zonën e tyre kadastrale. Mjafton që të vizitojnë platformën e dedikuar për këtë proces në faqen tonë zyrtare të internetit”, u shpreh Goxhobelli.
Ky proces, sipas saj, është në fakt ndër projektet më të rëndësishme për modernizimin e Kadastrës. “Një projekt që po zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe asistencën teknike të UNOPS-it. Përfundimi i digjitalizimit sjell më shumë lehtësi në përpunimin e informacionit për lehtësi në përpunimin e informacionit për pronën dhe për rrjedhojë shërbime më të shpejta dhe më të sigurta për të gjithë”, shtoi Goxhobelli.

