Tiranë, 13 nëntor, argument.mk/ – Laboratori i Anatomisë Patologjike ka rritur kapacitetet diagnostikuese, duke ofruar aktualisht shërbim për rreth 24 mijë pacientë nga e gjithë Shqipëria, përmes teknologjisë së avancuar dhe përdorimit të metodave bashkëkohore në diagnostikimin patologjik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ndau sot pamje nga puna në këtë laborator, duke vënë në dukje rolin e teknologjisë dhe ekspertizës së profesionistëve në realizimin e diagnozave të sakta.
“Pas çdo diagnoze të saktë qëndron një punë e përditshme që kërkon dije, përkushtim dhe përgjegjësi. Teknologjia e avancuar i jep mundësi të reja diagnostikimit, ndërsa ekspertiza e profesionistëve i kthen ato në rezultate konkrete për pacientët”, tha Spahiu.
Sipas një mjekeje në këtë laborator, numri i rasteve të trajtuara nga laboratori ka ardhur në rritje progresive, nga rreth 6 mijë në vitin 2016, në 11 mijë në vitin 2018, deri në rreth 24 mijë pacientë aktualisht.
“Një zhvillim i rëndësishëm është shënuar edhe në përdorimin e biomarkerave, të cilët ndihmojnë në përcaktimin më të saktë të diagnozës dhe orientimin e trajtimit. Nga pesë biomarkera të përdorur në vitin 2016, laboratori ka arritur në 70 në vitin 2022 dhe aktualisht përdor mbi 150 biomarkera”, shprehet një tjetër mjeke laborante.
Në laborator zbatohen metoda të avancuara si imunohistokimia dhe biologjia molekulare, në bashkëpunim me onkologët, kirurgët dhe biologët, me synim vendosjen e diagnozave të personalizuara dhe orientimin drejt trajtimeve më të përshtatshme për pacientët.
“Përditësimi i vazhdueshëm i protokolleve të punës dhe përafrimi me standardet e praktikat më të fundit të Bashkimit Evropian janë pjesë e përpjekjeve për rritjen e cilësisë së diagnostikimit”, u shpreh një tjetër mjeke.

