Tiranë, 13 nëntor, argument.mk/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) zhvilluan një takim pune në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 9 maj 2027.
Në fokus të takimit ishin procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve, në kushtet e ndarjes së re administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me: Përshtatjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile me ndarjen e re territoriale dhe gjenerimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë sipas bashkive të reja; Saktësimin e procedurave për përgatitjen, firmosjen dhe afishimin e ekstrakteve të listave të zgjedhësve; Verifikimin dhe standardizimin e adresave të qendrave të votimit, si dhe unifikimin e të dhënave në formularët e listave të zgjedhësve;
Palët diskutuan mbi nevojën e koordinimit institucional dhe marrjen e masave të nevojshme në kohë, me qëllim garantimin e një procesi të saktë dhe të njëtrajtshëm të hartimit dhe publikimit të listave të zgjedhësve, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Sipas KQZ-së, publikimi i ekstraktit të parë të listave të zgjedhësve është parashikuar deri më 30 nëntor 2026.

