Shkup, 16 nëntor, argument.mk/ – Iniciativa qytetare “Biseda për të ardhmen në 12:05” kërkon ndryshime në Kodin Penal dhe miratimin e një ligji të veçantë për prejardhjen e pasurisë, me qëllim luftimin më efikas të korrupsionit politik dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme nga funksionarët publikë.
Organizatorët vlerësojnë se miratimi i Kodit të ri Penal përbën një hap përpara, por theksojnë se kjo nuk garanton drejtësi për rastet e korrupsionit të kryera në të kaluarën. Ata shprehin shqetësimin se ndryshimet ligjore mund të lënë pa përgjegjësi një numër të madh të ish-zyrtarëve dhe funksionarëve aktualë.
Sipas iniciativës, ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, përmes të cilave u ulën dënimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, kanë krijuar mundësi që lëndët e korrupsionit politik të vjetërsohen. Organizatorët pretendojnë se nga këto ndryshime përfitojnë rreth 800 ish-funksionarë dhe zyrtarë aktualë.
Ata shprehin gjithashtu dyshime për një marrëveshje të heshtur të mundshme mes pushtetit dhe opozitës për amnisti të ndërsjellë, duke kërkuar që lufta kundër korrupsionit të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash politike.
Në këtë drejtim, iniciativa propozon tri masa konkrete. E para është që veprat penale që lidhen me korrupsionin e funksionarëve publikë, si dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, të mos i nënshtrohen parashkrimit.
Masa e dytë parasheh ashpërsimin e dënimeve për përfitimin dhe fshehjen e paligjshme të pasurisë, me dënime që mund të arrijnë deri në 15 vjet burg.
Ndërkaq, propozimi i tretë ka të bëjë me miratimin e një ligji të veçantë për prejardhjen e pasurisë, përmes të cilit do të mundësohej hetimi i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të funksionarëve aktualë dhe të mëparshëm, si dhe të familjarëve të tyre të ngushtë.
“Politikanët e korruptuar, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo partiake, duhet të japin përgjegjësi”, theksojnë organizatorët.
Përmes këtyre kërkesave, iniciativa u bën thirrje institucioneve që premtimet për luftimin e korrupsionit t’i shndërrojnë në masa konkrete ligjore dhe institucionale, duke siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo përkatësisë politike, shkruan “Plusinfo.mk”, transmeton argument.mk/

