Tiranë, 18 nëntor, argument.mk/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në seancën plenare, ku po diskutohet projektligji për buxhetin e vitit 2027 dhe paketa fiskale, e cilësoi “buxhetin si buxheti i vjedhjes”.
Ai tha se me paketën e re fiskale qeveria do të rëndojë më tej qytetarët përmes rritjes së çmimeve dhe taksave. Në fjalën e tij, Berisha i cilësoi përfaqësuesit e qeverisë si të zhytur në korrupsion, teksa shtoi se mazhoranca nuk ka legjitimitet.
Berisha u ndal edhe te raporti i EUROSTAT-it, duke pretenduar se pavarësisht rritjes së të ardhurave, varfëria mes shqiptarëve është shtuar. Sipas tij, çmimet në Shqipëri janë më të larta se mesatarja evropiane, duke e bërë më të vështirë jetesën për qytetarët.
“A e kuptoni ju që nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin? Ju nuk keni legjitimitet. Ju keni humbur çdo legjitimitet. Ju keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsioni”, deklaroi Berisha.
“Dhjetë miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve. A jetoni në Shqipëri apo jo? A e dini ju se EUROSTAT deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar? A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo? Sepse janë pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milion e 200 mijë shqiptarë”, u shpreh Berisha.
“Por po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë. Në qoftë se maqedonasit blejnë me çmime që janë 60 për qind e çmimeve evropiane, shqiptarët blejnë me çmime që janë 110 për qind të çmimeve evropiane”, tha Berisha.
Kreu i PD-së paralajmëroi se paketa fiskale do të sjellë një tjetër rritje të barrës ekonomike për qytetarët.
“A e dini ju pse janë rritur të ardhurat? Se raporti i lekut me dollarin është në qiell. Pra, çfarë do u bëni ju më keq shqiptarëve se tani t’ua rrisni dhe taksat. Se tani t’ua rrisni edhe më tej çmimet. Çmimet janë 110 për qind të mesatares evropiane. Tani me këtë paketë do t’i përzini prapë. Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, po nuk do përziheni, do shkoni atje ku e keni vendin”, përfundoi Berisha.
Deputetët e Partisë Demokratike u larguan nga salla sapo nisi paraqitja e projektbuxhetit dhe paketës fiskale nga Kryeministri Edi Rama.

