Tiranë, 18 nëntor, argument.mk/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se seanca e sotme plenare shënon një moment të rëndësishëm për Kuvendin, pasi pritet të votohet në parim Buxheti 2027 dhe paketa fiskale.
Përmes një videomesazhi para nisjes së seancës, Balla u ndal te risitë e paketës fiskale, duke theksuar se ajo parashikon masa që, sipas tij, do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e kostove për qytetarët.
Një prej ndryshimeve të paralajmëruara është ulja e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%. Sipas Ballës, kjo do të reflektohet edhe në çmimet për konsumatorët, duke marrë si shembull një bukë që aktualisht kushton 1 mijë lekë të vjetra, e cila nga 1 janari do të kushtojë rreth 880 lekë.
Një tjetër masë është heqja e taksës së qarkullimit, që sipas tij do të sjellë uljen e çmimit të karburantit me 320 lekë për njësi. Balla theksoi gjithashtu rritjen e tatimit mbi fitimin nga dividendi, duke nënvizuar parimin se “kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë”, ndërsa ata me të ardhura më të ulëta duhet të paguajnë më pak ose aspak.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së u bëri thirrje edhe deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në debatet parlamentare, të parashtrojnë pyetje dhe të kontribuojnë në diskutimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale.
“Ftoj opozitën të vijë me mendje ndryshe nga herët e tjera në këtë Kuvend, të diskutojmë, të marrin pjesë në debat, të bëjnë pyetje nëse duan dhe pastaj i ftoj të votojnë uljen e çmimit të ushqimeve, uljen e çmimit të karburanteve dhe buxhetin që ka pjesën sociale më të madhe”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se buxheti i ri parashikon mbi 3.2 miliardë euro për komponentin social, duke e cilësuar atë si buxhetin me peshën më të madhe sociale në historinë e vendit.

