Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar një takim me homologun e tij grek, Jorgos Gerapetritis, në Athinë, në margjinat e takimit ministror të iniciativës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Përmes një postimi, Mucunski ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar përkushtimin e Qeverisë ndaj agjendës së reformave dhe përgatitjes së vendit për anëtarësim në BE, në përputhje me kriteret e Kopenhagës.
Në takim, sipas Mucunski, është vlerësuar se marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen në drejtim pozitiv, ndërsa është shprehur gatishmëria për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes dialogut politik, lidhjes infrastrukturore dhe energjetike përgjatë Korridorit 10.
Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe gjetja e një zgjidhjeje praktike për vështirësitë me të cilat përballen shoferët profesionistë gjatë hyrjes dhe qëndrimit në zonën Shengen.
Në fund, të dy ministrat kanë riafirmuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare publike, mirëkuptimit të ndërsjellë, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe aleancës në kuadër të NATO-s.

