Kryetari i Partisë Demokratike(PD), Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi do të paraqiten mesditën e sotme[e mërkure] në SPAK për t’u njohur me akuzën për çështjen e kompleksit Partizani.
Me këtë rast strukturat e demokratëve njoftuan mbajtjen e një tubimi para Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.
Sipas burimeve të Euronews Albania protesta e së mërkurës do të jetë e organizuar kryesisht nga strukturat e PD-së në Tiranë dhe qyteteve përreth, por jo në përmasat e një tubimi kombëtar si ai që u organizua në korrik në bulevard.
Protesta sipas buimeve të EA-së do të zgjasë aty që nga momenti kur do të mbërrijë Berisha e deri kur para prokurorëve të SPAK-ut të paraqitet dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Skenari paraprak i protestës nuk parashikon akte të dhunshme, por një demonstrim qëndrese dhe besnikërie ndaj Sali Berishës, me shpresën se pasi ky i fundit të mësoje akuzën të mund të kërkojë lirimin dhe mundësinë për të lënë arrestin shtëpiak, masë të cilën e vuan që prej 31 dhjetorit 2023.
Gjithsesi ky është një variant që do duhet të presë të paktën disa ditë të tjera pas marrjes së akuzës, pasi do të jetë Gjykata ajo që do të shprehet nëse Berisha do qëndroj në shtëpi gjatë kohës që do jetë me statusin e të pandehurit, apo do të jetë me ndonjë masë më të lehtë.