Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediet ka prezantuar programin e PL-së për pensionistët.
Sipas Blushit “pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër edhe se në vitin 2013 kur “Rilindja” erdhi në pushtet”.
Blushi theksoi se Partia e Lirisë ka një program “të qartë, të detajuar, të realizueshëm dhe plotësisht të financueshëm për të dyfishuar masën e pensioneve dhe të barazojë atë me mesataren e vendeve të rajonit”.
“Ne i jemi përulësisht mirënjohës brezit, që ka bërë kaq shumë për Shqipërinë ndaj dhe dyfishimi i pensioneve është jo vetëm një nga pesë Prioritetet tona madhore, por një domosdoshmëri”, tha Blushi.
Blushi tha se Partia e Lirisë në qeverisje do të bëjë të mundur indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.
“Indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve”, shtoi Blushi.
Blushi theksoi më tej se do të “dyfishojnë pensionet me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse”.
Blushi nënvizoi se PL do të angazhohet për “mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistet dhe të përshkruara me recetë mjekësore”.
“Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të pensionistët me probleme shëndetësore”, tha më tej Blushi.
“Dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale”, u shpreh Blushi.
Blushi tha se do të angazhohen në sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.
“Sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacienteve pensionistë në banesë si dhe artikujve mjekësore, që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve”, theksoi më tej Blushi.

