Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë persona në lidhje me zjarrin e së martës në një hotel vendpushimi skish që ia mori jetën 76 personave.
Arrestimet, të njoftuara nga Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya të mërkurën, përfshinin pronarin e hotelit, me pikëpyetje të ngritura mbi masat e sigurisë në fuqi, transmeton Telegrafi.
Qeveria ka emëruar gjashtë prokurorë për të udhëhequr një hetim mbi zjarrin, i cili besohet se ka nisur në seksionin e restorantit të hotelit 12-katësh Grand Kartal, i cili ndodhet në vendpushimin e skive Kartalkaya në malet Bolu.
Autoritetet po përballen me kritika në rritje. Dëshmitarët dhe raportet kanë sugjeruar se sistemi i zbulimit të zjarrit të hotelit nuk funksionoi.
Të mbijetuarit midis 238 të ftuarve të regjistruar raportuan se asnjë alarm zjarri nuk u ndez gjatë incidentit, dhe se ata duhej të vraponin në korridoret e mbushura me tym në errësirë të plotë.
Yerlikaya raportoi se trupat e 45 viktimave u ishin dorëzuar familjeve të tyre, ndërsa testet e ADN-së po kryheshin për të identifikuar trupat e mbetur.
“Zemrat tona janë thyer. Jemi në zi”, u tha ministri gazetarëve jashtë hotelit.
“Por duhet ta dini se kushdo që është përgjegjës për shkaktimin e kësaj dhimbjeje nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, shtoi ai.
Menaxhmenti i hotelit shprehu dhimbje të thellë dhe u zotua për bashkëpunim të plotë me autoritetet për ta hetuar rastin.
“Ne po bashkëpunojmë me autoritetet për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e këtij incidenti”, thuhet në një deklaratë.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga humbjet dhe duam që ju të dini se ne e ndajmë këtë dhimbje me gjithë zemër”, shtuan ata.
Kartalkaya, rreth 295 kilometra në lindje të Stambollit, është një nga destinacionet kryesore të Turqisë, duke tërhequr mijëra vizitorë gjatë sezonit të skijimit.