Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve në dy javët e fundit të fushatës zgjedhore, raporton Ekonomia Online.
Mustafa ka theksuar se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e vendit.
“Po hymë në dy javët e fundit të fushatës, që janë dy javët e para të një të ardhmeje së re dhe të ndritur për Kosovës. Tash gjithçka varet nga ju, populli i Kosovës. Flisni me familjarët tuaj, flisni me miqtë tuaj. Shpjegojuni atyre se sa vendimtare janë këto zgjedhje për të ardhmen e secilit prej tyre. Shpjegojuni se ata nuk mund të jenë neutral, nuk mund të përballojnë edhe katër vite të tjera keqqeverisje të VV-së”, tha ai në konferencën për media.
Mustafa tha se LDK do të sjellë ndryshimin që Kosova ka nevojë në krye me kandidatin për kryeministër të kësaj partie, Lumir Abdixhikun.
“Ndryshojeni atë për një udhëheqës që e di saktësisht se çfarë duhet bërë për të ardhmen e Kosovës. Ndryshojeni atë për një parti që ka pafundësisht ekipin më të mirë, ekspertët më të mirë, gratë dhe rininë më të mirë që do të sjellin ndryshimin në Kosovë. Ne do të punojmë e do të ecim përpara me gjithë fuqinë tonë në dy javët e ardhshme. Ju lutemi që edhe ju të bëni të njëjtën gjë. Së bashku do të sjellim ndryshimin”, tha ai.
