Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ndikimin e programit “Tirana Training Center” në zhvillimin e industrisë kreative në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për shumë të rinj.
Pranë ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” u çel sot një nga programet më transformuese për industrinë kreative në Shqipëri, “Tirana Training Center”, një qendër që do të shërbejë si katalizator për zhvillimin e kinematografisë dhe prodhimeve audiovizuale në Shqipëri.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri çmoi veçanërisht kontributin e ambasadës amerikane në Tiranë për hapjen e një programi të tillë.
“Shpreh kënaqësinë që më në fund ambasada amerikane u interesua edhe për një projekt kulturor. Përgjithësisht projektet amerikane janë të drejtuar në aspektet represive të shtetit, një projekt i tillë drejtuar në aspektin rekreativ të shtetit është shumë i mirëseardhur. Nuk ka pasur për mua gjë më të bukur se sa një ndërhyrje nga ambasada për të mbështetur një projekt kulturor”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se SHBA janë vendi i një kreativiteti dhe mbështetje të fantazisë me instrumente që janë pararoja e transformimeve në industrinë kreative. Po ashtu Rama tha se krijimi i një qendre të tillë ishte diçka e paimagjinueshme disa vite më parë.
“Rikthehemi këtu në këtë hapësirë pas një pune të mundimshme, për të gjithë restaurimin e saj për të hapur një program inkurajues edhe frymëzues duke krijuar mundësi të reja për të gjithë të rinjtë dhe për të rejat e Shqipërisë kreative. Duke ardhur për këtu po mendoja se edhe kjo ishte nga ato gjëra që ishin të paimagjinueshme kohë më parë. Shqipëria ka kaluar në një farë ndryshe nga vite më parë, ku shprehja më e natyrshme dhe përshkrimi jo fort i gabuar i realitetit, ishte ‘këtu nuk bëhet asgjë dot’ më shprehjen ‘çdo gjë është e mundur’”, tha Rama.
Ndaj ai ftoi të gjithë të interesuarit të trokasin në këto dyer dhe të aplikojnë për programet e kësaj qendre. “Të gjithë së bashku, secili nga pozitat e veta, të rrisin këtë krijesë të re që mori jetë sot”, tha Rama.
“Tirana Training Center” do të ofrojë trajnime profesionale për deri në 400 studentë njëkohësisht, në fusha si aktrimi, regjia, animacioni, prodhimi, shkrimi dhe më shumë.
Ajo do të shërbejë si një urë lidhëse mes industrisë krijuese dhe tregut ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e profesionistëve nga HBO, Netflix, Warner Brothers dhe të tjerë.

