Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Sekiraqës, duke e dënuar me dënik unik me 4 vjet e gjysmë burgim pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje në tentativë” në “Lëndim të lehtë trupor”. Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza.
I akuzuari Shkumbin Sekiraqa- djali Salih Sekiraqës (njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Premtim Gashit më 1 shtator në Aktash në Prishtinë), akuzohej për tentim vrasjen e Pajtim Gashit, (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimim ndaj Sekiraqës dhe Halitit u shpall të mërkurën nga gjykatësi Naser Foniqi.
Kurse, Muhedin Haliti u lirua nga akuza për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale”.
I akuzuari Sekiraqa obligohet të paguajë paushallin gjyqësor prej 200 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave.
Të akuzuarit Sekiraqa i vazhdohet paraburgimi deri më plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj Shkumbin Sekiraqës (djali i të dyshuarit për vrasjen në Aktash, Salih Sekiraqa), i cili akuzohet për tentim vrasjen e Pajtim Gashit (vëllait të tani të ndjerit Premtim Gashi).
Aktakuza thotë se më pas e sulmojnë fizikisht, në atë mënyrë që fillimisht Shkumbin Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.
Me këtë, Sekiraqa akuzohej se në bashkëkryerje me NN personin, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve. Kjo pasi derisa ka shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit Pajtim Gashi, ka rrezikuar personat e tjerë që ishin në rrugë.
