Nga: Rafaela Marteta
Së pari, çfarë është “pedagogjia e zezë”? Term për të përmbledhur një “metodë edukative”. Pohimi që “pedagogjia e zezë” është metodë edukative është paradoksal, sepse nuk bëhet fjalë për një ndërhyrje pozitive: të rriturit ushtrojnë pushtetin e tyre prej prindi për të nxitur te fëmijët plotësimin e nevojave dhe të mangësive personale. Termi përcjell edhe një histori praktikash, që nuk janë kaq të thjeshta për t’u përmbledhur në një rast si ky, por thelbi i kësaj pedagogjie është idealizimi i nevojave dhe i kërkesave të prindit ose të mësuesit. Fëmija bëhet një bartës i pavetëdijshëm i kushtëzimeve që shtypin pjesën më të gjallë dhe krijuese të tij qysh në moshë të njomë. Prindi e bën me qëllim të mirë, por niset përherë prej mendimit se e drejta është në anën e të rriturit duke i dhënë kësaj metode edukative nota të qarta manipuluese.
Çfarë përfaqëson “pedagogjia e zezë” u sqarua më sipër. Është një instrument për të zotëruar dhe për të mbizotëruar mbi vullnetin e lirë të tjetrit dhe mbi pjesën e tij vitale dhe origjinale. Kështu vepron ky serial: u mëson të rriturve të kenë frikë, të rrojnë me frikë. Recensionet e gjykojnë “Adolescence”-n si serialin e vitit 2025 (dhe jemi vetëm në mars të këtij viti) nisur nga shikimet dhe debatet që ka nxitur. Ky është një nga pushtetet e pedagogjisë së zezë: ka ndikim të menjëhershëm dhe afatgjatë, më shumë sesa shumë veprime ndërtuese edukative të përditshme. Çka më shtyn të ndaj këtë artikull është fokusi që recensionet, sidomos ato në gjuhën shqipe, kanë për serialin dhe jo për realitetin. Një shfaqje, e cilësdo gjini paraqet copëza realiteti, por për arsye që dihen e këtu nuk është rasti të listojmë, është një përqendrim dinamikash të ndërtuara në mënyrë simbolike, me synim për të marrë vëmendjen e publikut, të cilin shfaqja e ka identifikuar paraprakisht.
– “Adolescence” nuk flet për të gjithë ne, pavarësisht se protagonistët potencialë të historisë së serialit në një moment të caktuar mund të ishim secili prej nesh, por jo të gjithë ne. Një film nuk ka fuqi përgjithësuese, historia e filmit nuk është historia e secilit prej nesh dhe as e shumicës prej nesh. Kjo është vlera e tij simbolike, e cila do lexuar me kompetencë dhe do kontekstualizuar, madje edhe interpretuar në çelës pedagogjik, artistik etj. Por, një film nuk duhet lexuar si një e dhënë shkencore që ka aftësi për t’u përsëritur dhe për t’u përgjithësuar.
– “Adolescence” i mëshon normalitetit të një familjeje me të dhëna të mesme dhe prapë na bën të mendojmë se ajo familje mund të jemi ne. E papritura e dhunshme e protagonistit nuk lexohet si një dramë e personit, personale, por si një e keqe që përfshin një familje në dukje normale.
Po cila është familja normale mesatare në imazhin tonë kolektiv?
Ajo e filmit?
Çdo familje është e përveçme, çdo qenie është e përveçme dhe e pangjashme. Po të ishte kaq i thjeshtë edukimi “Adolescence”, nuk do të çante tregun me një dhunë të ngjashme me frikërat tona më të mëdha. Nuk duhet harruar se me frikërat tona të mëdha behët para e madhe.
Po pse duhet “Adolescence” për të kuptuar se të rinjtë, si dje ashtu edhe sot kanë një parehati që e karakterizon moshën, po edhe një ligjërim të tyrin që karakterizon moshën dhe gjendjet e tyre? Pse u dashka që prindërit të njohin kuptimet që të rinjtë u japin emotikoneve apo termave të veçantë të komunikimit virtual, që megjithatë, nuk kanë lindur prej filmit dhe me filmin?
Është e thjeshtë! E zgjojnë! E zgjojnë!
“Adolescence” e mpin ndërgjegjen dhe veprimin tonë, duke pritur momentin kur po na vjen radha! Për shembull, “Detachment” është një film po kaq i fortë: kriza e mësuesit, kriza e shkollës, kriza e moshës adoleshenciale, kriza personale e disa prej protagonistëve, njëri vret veten në fund të filmit. Është i fortë, por është i një tjetër natyre. Flet për rreziqet e edukimit, por dëshmon edhe perspektiva dhe veprime konkrete për të dalë nga tuneli. “Adolescence”, më shumë se për adoleshencën flet për krizën e të rriturve dhe paralizën që ka kapluar rolin e tyre dhe pamundësinë për ta tejkaluar. Nëse e përjetojmë si verdikt final “fatin” e “Adolescence”, kemi arsye të kemi frikë. Nëse e përjetojmë si një forcë lëvizëse, duhet të ndërmarrim veprime, që do të thotë: më pak seriale, më pak divan, më pak TV, më pak ideologji, më shumë aktivizëm në realitet, me fëmijët, me familjen. Pa frikë! Me guxim! Jashtë ndodh jeta e vërtetë; të mos jemi thjesht konsumues të këtij skenari, të bëhemi prodhues të përmbajtjeve tona, proaktive …