Shkup, 1 shkurt – Pas festës së kryeministrit të parë teknik shqiptarë duhet të rikthehemi në realitet dhe të shohim gjërat që duhen bërë por nuk janë bërë. Pas realizimit të marrëveshjes LSDM – BDI për kryeministrin shqiptar në qeverinë teknike, u krijua bindja se çdo gjë që e thotë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, mbetet e pandryshueshme dhe është tërësisht e realizueshme. Por ne sjellim në kujtesë një deklaratë të Ahmetit nga konaku i tij në shtator të vitit që lamë pas, kur është pyet për ndryshimet kushtetuese, Ahmeti deklaroi: “Unë them se do të bëhen”, por tashmë që jemi disa muaj më pas që kjo temë u harru tërësisht, ku presidenti i shtetit deklaron se qeveria e ka gënjy opinionin kur kanë qenë optimist, kush duhet të mbajë llogari për këtë fjalë të dhënë? shkruan Zhurnal.
Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Unë them se do të bëhen –
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ishte i bindur se do të bëhen ndryshimet kushtetuese, me të cilat Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ai në një intervistë për TV21 nga shtëpia e tij nuk pati zbuluar datën e seancës, pasi siç kishte thënë atëkohë, nuk është për ta ndarë me publikun, por ishte tejmase optimist se në momentin që do të thirret seancë do të bëhet edhe votimi. Ai porositi krerët politik, e në veçanti liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë për vendin, sepse në të kundërtën në Maqedoninë e Veriut do të mbesin vetëm politikanët dhe biznesmenët, pasi të tjerët do ta braktisin vendin.
“Hristijan Mickoski duhet t’i mendojë gjërat mirë, sepse mban përgjegjësi si lider partie. Gjërat nuk e di si do të shkojnë, por është e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të ndodhin. Ne nuk duhet ta humbim shansin e artë. Ne jemi para hyrjes në dhomën kryesore. Në qoftë se Mickoski, Kovaçevski, Ahmeti, Thaçi, Taravari duan që të mbesin të vetëm këtu dhe të votojnë për njëri-tjetrin, atëherë mos t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe ne të sillemi vërdallë këtu, politikanë, biznesmenë, atëherë njerëzit do të na braktisin, sepse njerëzit duan jetë më të mirë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti(18 shtator 2023).
Por, që tani jemi në shkurt të vitit 2024 dhe ndryshimet kushtetuese nuk janë bërë akoma, a i bie që Ahmeti atë që e tha nuk mbajti fjalën apo ka manipuluar me publikuan duke reflektuar optimizëm të rrejshëm.
Pendarovski për ndryshimet kushtetuese: Optimizmi i Qeverisë ka qenë jo real –
Presidenti Stevo Pendarovski në raport me ndryshimet kushtetuese vlerëson se joreal ka qenë optimizmi i Qeverisë se ato janë të mundshme, pavarësisht nga qëndrimi i vendosur i opozitës OBRM-PDUKM se nuk do të votonte për to. Kjo çështje, siç shprehet ai në intervistë për “Slloboden peçat”, do të mbetet pas zgjedhjeve në agjendën e Qeverisë së ardhshme dhe Parlamentit i ardhshëm.
“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, mendoj se në vitin e kaluar nuk është përdorur optimizmi i disa ministrave, duhet t’i kishim qëndruar më shumë realizmit. Që nga miratimi i propozimit francez, nuk ka pasur asnjë deklaratë dhe asnjë njoftim nga ndonjë deputet i opozitës se ata do të votonin për të arritur ato dy të tretat. Unë e kuptoj mbajtjen e optimizmit gjatë gjithë kohës dhe duke folur për të njëjtën çështje, por nëse ka ndonjë hap real pozitiv. Por, unë pohoj se nuk kishte, meqë OBRM-PDUKM i përmbahej me vendosmëri asaj disipline partiake. Është e qartë se kjo çështje do të mbetet në rendin e ditës pas zgjedhjeve dhe se qeveria e ardhshme dhe parlamenti i ardhshëm do të duhet të merren me të. Por në një situatë kur spekulojmë se opozita aktuale do të ishte në pushtet pas 8 majit, nuk e di se si do ta bëjnë këtë sepse të gjitha deklaratat që ata bënë janë tepër radikale – se nuk do të votonin për këtë propozim, kështu që do të përpiqen të negociojnë dhe ngjashme. Mund ta mashtroj shtetasin maqedonas që ka shqetësime të tjera, por nuk mund t’i mashtrosh përfaqësuesit e huaj të cilët kanë thënë me saktësi. Të thuash “ne kemi plan që do t’jua tregojmë pas zgjedhjeve” është joserioze”, shprehet Pendarovski.
Fundi i vitit ishte koha reale për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, viti po përfundon por debati për ndryshimet kushtetuese po vazhdon. Edhe përkundër optimizmit të lartë që këto ndryshime do të ndodhin, e vërteta e dëshmoi të kundërtën edhe këtë vit nuk ndodhën ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonia e Veriut mbeti në të njëjtin vend për sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.
E ndaj kësaj situate pa rezultat politikanët përgjigjen me akuza dhe kundër akuza. Më dëshpëruese është fakti që edhe në kushte lufte Ukraina mori datën për hapjen zyrtare të negociatave me BE-në. Pra, RMV në kushte paqe nuk arriti të sigurojë datën për fillim të negociatave. Kjo tregon që në fakt në vend ka një luftë të brendshme por pa armë
Ndryshimet Kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Edhe përkundër formimit të komisionit për hartimin e amendamenteve nga Ministria e Drejtësisë ndryshimet kushtetuese nuk ndryshuan nga vendi.
Kujtojmë që, ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike. Komisioni në fjalë është bojkotuar nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen. Opozita shqiptare kërkon që me ndryshimet kushtetuese të largohet edhe 20 përqindëshi për gjuhën shqipe. Ndërkaq, opozita maqedonase kërkon formimin e shtetin nacional, sipas modelit korat, ku RMV të definohet shtet i maqedonasve dhe i pakicave tjera, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët si pakicë, pa çka se janë mbi 30%. /Zhurnal.mk